Artistët e Cirkut në protestë: “Do të futemi në grevë urie”

Radha për të protestuar u vjen edhe artistëve të Cirkut. Shkak janë bërë dy vendime. I pari, me propozimet në projektligjin për artin dhe kulturën, cirku humb statusin kombëtar.
I dyti 2400 metrat katrorë në rrugën “Anton Ashta”, përballë digës së Liqenit Artificial, që ishin në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe nga 2013 ishte premtuar ndërtimi i Cirkut të ri Kombëtar, kalojnë në varësi të Bashkisë Tiranë që do të shfrytëzohet për aktivitete social-kulturore të Cirkut të Tiranës. Për shqetësimet e artistëve të Cirkut Ministria e Kulturës ende nuk është shprehur.
Julian Kazazi artist i Cirkut Kombëtar, i ftuar në “Fax News” tha se, nëse çështja e tyre nuk zgjidhet ata do të shkojnë drejt një greve urie. Duke iu referuar vendimit të qeverisë për të ndryshuar statusin e Cirkut nga Kombëtar në atë të Tiranës, duke ia deleguar kompetencat Bashkisë, Kazazi tha se kjo është e papranueshme.

“Cirku Kombëtar është një dhe i vetëm në Shqipëri, duke na u hequr statusin kombëtar ne nuk kemi siguri, pasi nuk kemi parë asnjë lloj transparence. Nuk na është thënë asgjë në lidhje me projektin për godinat e reja, ku do të ndërtohet cirku i ri.
Me vendimin e marrë në heshtje në 7 mars, prona që ishte në plan të ndërtohej cirku kishte probleme, ndërsa qeveria ia jep këtë pronë Bashkisë për ushtrimin e aktiviteteve të cirkut. Kjo VKM nuk e thotë se me kë ligj ne mbrohemi, jemi në ajër, dhe nuk na mbron asnjë dispozitë ligjore.
Ne nuk do të dorëzohemi, ne do të kalojmë në grevë urie, nëse vijojnë që të merren vendime në mungesë të mëtejshme të transparencës nga ana e Ministrisë”, u shpreh Kazazi.