“Arrest me burg” për nusen 21-vjeçare që vrau vjehrrën

Marjana Çmeta, 21-vjeçarja e akuzuar për vrasjen e vjehrrës së saj, Lirie Lami, në prill të vitit 2017, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. E njëjta masë sigurie u caktua nga Krimet e Rënda paraditen e së premtes edhe për Hysen Shehun, hoxhën, ku nusja e re rrëfeu krimin, që fillimisht u konsiderua si vdekje natyrale, si edhe për bashkëshortin e viktimës, Agim Lami dhe Arben Saliun. Hoxha dhe dy të tjerët u lanë në qeli për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.
Burime brenda seancës të zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat, konfirmuan se 21-vjeçarja Çmeta është shfaqur në gjendje të rënduar mendore. Ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Avokati i saj, Aleksandër Roskopi, ka kërkuar një masë më të butë, duke iu referuar faktit se 21-vjeçarja është nënë e një fëmijë disa muajsh dhe ndalimit ligjor për të lënë në “arrest në burg” nënat me fëmijë nën moshën 3 vjeç.

Pretendimi nuk është marrë parasysh nga gjyqtari Ardit Mustafai.
Hoxha Hysen Shehu i vënë në pranga për “moskallëzim krimi” ka mohuar akuzën. Ai është shprehur se kishte vënë në dijeni familjarët e viktimës. “Nuk kam pasur gjë për të kallëzur. Ajo më tregoi për shkak të funksionit tim si hoxhë. Unë i vura në dijeni familjarët e viktimës. Të kisha pasur ndonjë qëllim e kisha fshirë regjistrimin video”, mësohet të jetë shprehur Hoxha.
Vrasja e Lirie Lamit nga nusja e djalit të saj u zbulua një vit pas ngjarjes, pas një kallëzimi të të birit të viktimës. Ai u drejtua në Prokurorinë për Krimet e Rënda, pasi u njoh me një video prej 72 minutash të bërë në zyrën e hoxhës Hysen Shehu. Në këtë video që tashmë është administruar si provë, 21-vjeçarja rrëfente si kishte helmuar me fostokinë vjehrrën dhe më tej e kishte mbytur me duar.