Spaho: Kryeministër me poture, shpesh herë të mbushura

‘Ti vesh poture dhe shpeshherë i mbush ato, vajte me atlete te zv.presidenti amerikan e të përzunë’. Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho ka ironizuar Ramën dje në Parlament për mënyrën e veshjes së tij, teksa ky i fundit u shfaq në sallën e seancave me kufje në vesh si shenjë e humbjes së kontrollit dhe paaftësisë për t’u përballur me akuzat e opozitës.
“Dy çështjeve kryesore i bëre bisht. I ke zvogëluar me 38% numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe ke zvogëluar me 40% fondet. Por do ta marrësh përgjigjen nga kolegët e mi në diskutimet e tyre. Ti Edi merresh me individin, nuk merresh me problemin. Unë nuk merrem me individin, se po të merresha me individin do thosha që “Kryeministri ynë është me poture si Haxhi Qamili tek romani ‘Vit i Mbrapshtë’ edhe shpesh herë i mbush ato poture.
Ose do të thosha që “ti vesh çorape jeshile, çorape të verdha” ose do merresha me atletet e tua që i shkove zv/presidentit amerikan dhe pastaj të përzunë. Por këtë nuk e bëj. Pse nuk e bëj? Për një arsye: Se ti problemin nuk e ke tek këmbët, ti problemin e ke tek koka, koka s’rregullohet.