Dy shqiptarë kapen me heroinë në Francë

Policia franceze ka arrestuar dy shqiptarë, pjesë të një organizate kriminale, të cilëve iu sekuestrua një sasi droge dhe para cash. Sipas mediave franceze, dy shqiptarët besohet se janë pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal që vepronte në Rhone dhe Isere.
1.5 kg heroinë u sekuestruan, 40 kg përzjerës dhe 30 mijë euro cash. Arrestimi i shqiptarëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë me dije, është pjesë e një hetimi të nisur në janar nga Prokuroria e Grenoble, kur u arrestuan dy shqiptarë të tjerë. Sipas shtypit francez, bëhet fjalë për një organizatë kriminale të trafikut të drogës në Francë dhe në Holandë.
Ky rrjet është gjithashtu i përfshirë edhe në shfrytëzim prostitucioni të vajzave rumune në rajonin e Grenoble. Mendohet se dy shqiptarët e arrestuar së fundmi ishin pjesë e strukturave të larta të organizatës kriminale.