Ballina Politikë Rama pranon negociatat sekrete me kompaninë e naftës së Putinit

Rama pranon negociatat sekrete me kompaninë e naftës së Putinit

Edi Rama ka pranuar mbrëmë për herë të parë se kishte pritur në zyrën e tij shefin e grupit Gunvor, Torbjörn Törnqvist. Takimi është bërë në zyrën e kryeministrit shqiptar në Tiranë, ku është diskutuar marrja e naftës shqiptare nga kompania ruse.
Vetëm pak ditë pas këtij takimi, SYRI.net në mënyrë ekskluzive mori disa informacione për bisedën që ishte bërë. Duke qenë se takimi i Ramës ishte bërë me një kompani që ndodhet në listën e zezë të SHBA-së për financime të dyshimta, lajmi shqetësoi shumë kompaninë ruse e cila reagoi me një email për artikullin.
Por pas këtij reagimi, SYRI.net bëri publik edhe një reagim të Departamenti Amerikan të Shtetit, që e klasifikonte kompaninë ruse ‘Gunvor’ në listën e zezë të saj.
Në datën 15 nëntor 2017, SYRI.net i bëri një email zyrës së shtypi në kryeministri dhe drejtorit të marrëdhënieve me mediat në kryeministri, Endri Fuga. Edhe pse pritëm një përgjigje nga qeveria e Edi Ramës, asnjë email apo letër nuk u kthye as brenda kohës së detyrueshme zyrtare për të kthyer një përgjigje.
Por mbrëmë Edi Rama u detyrua të pranojë se kishte pritur rusët në zyrën e tij, më saktë shefin e kompanisë Gunvor, Torbjörn Törnqvist. se kishte diskutuar për naftën.
Kujtojmë se kjo kompani është në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më poshtë po sjellim një kronologji të shkrimeve të publikuara nga SYRI.net në nëntor të vitit 2017.
Në datën 12 nëntor 2017:
EKSKLUZIVE/ Nafta shqiptare tek rusët, Rama negociata sekrete me kompaninë e Putinit
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar bisedime sekrete me grupin Gunvor, një kompani e lidhur direkt me presidentin rus Vladimi Putin, për një marrëveshje mbi naftën shqiptare. SYRI.net ka mësuar se të enjten Edi Rama ka pritur në zyrën e tij shefin e grupit Gunvor, Torbjörn Törnqvist, i cili ka ambicie për të marrë naftën shqiptare.
Burime konfidenciale, por tepër të sigurta i thanë SYRI.net se në takim është biseduar për ARMO-n dhe konçesionin e Patos Marinzës. Grupi Gunvor është i interesuar të shtjerë duart mbi naftën shqiptare dhe duket se ka gjetur disponibilitetin e qeverisë shqiptare.
Finalizimi i një marrëveshje, e cila do i kalonte naftën shqiptare një kompani të lidhur direkt me presidentin rus, Vladimir Putin do të përbentë një tronditje të fortë gjeopolitike duke vënë seriozisht në pikëpyetje marrëdheniet e Shqipërisë me aleatët e saj strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Embargo e SHBA
Gunvor është akuzuar drejtëpërdrejtë nga qeveria amerikane si një kompani e lidhur me presidentin Putin. Zyrtarisht, aksionet e Gunvor zotërohen nga Torbjörn Törnqvist dhe Gennady Timchenko si dhe një palë e tretë e panjohur. Por në mars të vitit 2014, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi publikisht se pas kompanisë qëndron direct Vladimir Putin.
“Aktivitetet e Timchenkos në sektorin energjetik janë të lidhura direkt me Putin,” deklaroi departamenti i shtetit. “Putin ka investime tek Gunvor dhe mund të ketë akses në fondet e saj,” vijoi deklarata e DASH. Për shkak të lidhjeve me presidentin rus, në vitin 2014 presidenti amerikan Barack Obama, pezulloi operacionet financiare të Gunvbor në Shtetet e Bashkuara duke i sekuestruar llogaritë bankare.
Kompania është në listën e zezë të qeverisë amerikane dhe bllokimi i llogarive të saj është goditja më e madhe që qeveria amerikane i ka bërë drejtëpërdrejt Vladimir Putinit.
Ngritja e Gunvor
Grupi Guvnor u themelua vetëm 10 vjet më parë. Por brenda një kohe të shkurtër ai ja doli të shndërrohej në kompaninë më të madhe energjetike të botës.

Sigurisht ekspertët dhe Departamenti i Shtetit thonë se pas kësaj ngjitje të rrufeshme qëndron presidenti rus Vladimir Putin. Aktualisht Gunvor është e regjistruar si kompani offshore në Qipro. Por qendra e saj operacionale është në Gjenevë të Zvicrës. Mësymja e Gunvor në Shqipëri dhe disponibiliteti i qeverisë shqiptare për të negociuar marrëveshje me të hap skenarë të rrezikshëm gjeopolitikë.
Prej dekadash Shqipëria i ka mbajtur larg interesat ruse nga pasuritë energjetike të vendit, edhe pse ambicia e kompanive ruse për të hyrë në Shqipëri ka ekzistuar thuajse gjithë kohën. Por tani duket se ka më shumë se sa thjesht ambicie, pasi Edi Rama po pranon të flirtojë me rusët, një lëvizje që me gjasa do të alarmojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe mund të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë.

Në 14 nëntor 2017:
Negociata sekrete për naftën shqiptare, kompania ‘Gunvor’ reagon për shkrimin e SYRI.net
Kompania ‘Gunvor’ ka reaguar në 14 nëntor 2017 me anë të një emaili, në lidhje me një shkrim të SYRI.net për një takim dhe bisedë sekrete mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe pronarit të kësaj kompanie Torbjorn Törnqvist.
Kompania pretendon se shkrimi ynë është i rremë dhe pabaza. Në reagimin e tyre, ‘Gunvor’ nuk mohon asnjëherë takimin mes Edi Ramës dhe Törnqvist, ndërsa japin fakte që sipas tyre shkrimi i SYRI.net nuk është i vërtetë. Për hir të transparencës dhe profesionalizmit po botojmë të plotë reagimin e ‘Gunvor’, ndërsa përgjigjen tonë e kemi dhënë në shkrimin që e gjeni në linkun e mëposhtëm.
Emaili i plotë i kompanisë ‘Guvnor’:
Unë që ju shkruaj jam Drejtor i Çështjeve të Korporatave për Grupin Gunvor dhe i referohem artikullit të titulluar “EKSKLUZIVE / Nafta Shqiptare tek Rusët, Rama negociata sekrete me kompaninë e Putinit”, e cila mund të gjendet këtu: http://ëëë.syri.net/politike/107500/Ekskluzive-NAFTA-shqiptare-tek-ruset-rama-negociata-sekrete-me-kompanine-e-putinit/.
Ky artikull është i mbushur me gënjeshtra të hapura dhe duhet të hiqet menjëherë duhet ta hiqni nga faqja juaj e internetit.
Ju lutem vini re:

• Kryeministri Edi Rama dhe CEO i Gunvorit, Torbjorn Törnqvist nuk kanë pasur “biseda sekrete” për nxjerrjen e “naftës shqiptar”. Ky është lajm i rremë.
• Gunvor nuk është “rus” dhe presidenti rus Putin nuk ka të bëjë fare me kompaninë tonë. Ky pretendim është i rremë.• Aksionet e Gunvor janë në pronësi të z. Törnqvist (64%) dhe pjesa e mbetur nga punonjësit e Gunvor. Nuk ka aksionarë të jashtëm. Z. Timchenko i ka shitur aksionet e tij në vitin 2014, dhe nuk ka të bëjë me Gunvor.
• Qeveria e SH.BA-së nuk ka pezulluar kurrë operacionet financiare të Gunvor-it në SHBA apo kudo. Në fakt, ne tani kemi më shumë se 60 punonjës në SHBA dhe dy zyra të reja tregtare (Houston dhe Stamford). Ne vazhdojmë të rritim praninë tonë në SHBA Referenca: https://ëëë.reuters.com/article/us-gunvor-us/gunvor-hires-bps-former-top-us-trader-to-expand-in-north -america-idUSKCN1AW1U1
• OFAC konfirmoi publikisht se Gunvor nuk ishte një objektiv për shkak të ish-aksionerit të saj. Si Reuters raportoi: http://www.reuters.com/article/2014/04/02/us-ukraine-crisis-russia-sanctions- idUSBREA311GM20140402.

• Gunvor nuk është në listën e zezë të qeverisë së SHBA, dhe asnjëherë nuk ka qenë. Gunvor kurrë nuk është ka pësuar sanksione nga SHBA apo ndonjë qeveri tjetër.
• Gunvor u themelua në vitin 2000, gati 18 vjet më parë, jo 10 vjet më parë. Dhe rritja e Gunvor gjatë kësaj kohe është saktësisht në përputhje me shtëpitë e tjera të mëdha të tregtimit të naftës.
• Më pak se 15% e tregtisë së Gunvor-it zhvillohet sot me Rusinë, dhe Gunvor ka shitur pasuritë e saj ruse. Gunvor është një kompani globale, me investime tregtare dhe asetesh në më shumë se 100 vende.
Artikulli juaj është i rremë dhe agjencitë e tjera të lajmeve e kanë përsëritur tashmë atë. Unë kërkoj që ta hiqni artikullin menjëherë nga faqja juaj.
Kontaktet e mia janë më poshtë, si dhe në faqen e internetit të Gunvor (ëëë.gunvorgroup.com/media).

Në datën 15 nëntor 2017:
Konfirmohet takimi i Ramës me Gunvor. Kompania na akuzon për mashtrim, SYRI.net publikon deklaratën e DASH
Një investigim i para pak ditëve nga SYRI.net, që zbuloi se kryeministri Rama ka pritur në zyrën e tij shefin e grupit Gunvor ku është biseduar për të kaluar naftën shqiptare në duart e kësaj kompanie është konfirmuar zyrtarisht. Jo nga qeveria e Shqipërisë, e cila ka heshtur për lajmin, por nga vetë gjiganti energjetik Gunvor, i cili megjithatë në përgjigjen zyrtare pretendon se artikulli i ynë është i mbushur me gënjeshtra.
“Kryeministri Edi Rama dhe CEO i Gunvorit Torbjorn Törnqvist nuk kanë pasur “biseda sekrete” për nxjerrjen e ” naftës shqiptare”. Kjo është krejtësisht e rreme.”- thuhet në e-mailin e Gunvor për SYRI.net.
Por SYRI.net, i quajti sekret negociatat, pasi takimi i kryeministrit nuk u njoftua siç ndodh me të gjitha takimet që shefi i qeverisë bën me personalitete të ndryshme, por u mbajt sekret. Për të nuk u shpërnda asnjë njoftim zyrtar, dhe lajmi nuk do të ishte marrë vesh nëse nuk do të publikohej nga SYRI.net.

Pyetja që shtrohet është pse u mbajt sekret ky takim?
Reagimi dhe faktet
Në reagim, Gunvor akuzon SYRI.net se ka mashtruar kur pretendon se kompania Gunvor është e lidhur me presidentin rus Putin përmes aksionerit të saj Genady Timcghenko. “Gunvor nuk është “rus” dhe presidenti rus Putin nuk ka të bëjë fare me kompaninë tonë. Ky pretendim është i rremë dhe i egër,” thuhet në reagim.
Por SYRI.net publikon dokumentet zyrtare nga Departamenti Amerikan i Thesarit, të cilave i është referuar në shkrim. Kjo është deklarata zyrtare e Departamentit Amerikan të Thesarit që mban datën 20 mars të vitit 2014.
“Putin ka investime tek Gunvor dhe mund të ketë akses tek fondet e Gunvor,” deklaron Departamenti i Thesarit, një fakt që konfirmon lajmin e SYRI.net dhe hedh poshtë pretendimet e kompanisë.
Pretendimi i dytë i kompanisë është ai se SYRI.net ka mashtruar kur e ka lidhur këtë kompani me manjatin rus Genady Timchenco. Sipas Gunvor, aksionet e saj janë në pronësi të z. Törnqvist (64%) dhe pjesa e mbetur u përket punonjësve e Gunvor.

“Nuk ka aksionarë të jashtëm. Z. Timchenko shiti aksionet e tij në vitin 2014, dhe nuk ka të bëjë me Gunvor,” thuhet në deklaratë.
Por edhe pse i ka shitur aksionet e veta, pas vitit 2014 Genady Timchenco është themeluesi i grupit Gunvor dhe një bashkëpunëtor shumë i ngushtë me presidentin e grupit Törnqvist tregohet nga ky shkrim i prestigjozes Financial Times.
Një tjetër çështje ku Gunvor akuzon SYRI.net se ka mashtruar është pretendimi se kompania ka qenë në listën e zezë të qeverisë amerikane.
“Gunvor nuk është në ndonjë listë të zezë nga qeveria e SHBA, dhe asnjëherë nuk ka qenë. Gunvor kurrë nuk është sanksionuar nga SHBA apo ndonjë qeveri tjetër, thuhet në deklaratën e Gunvor drejtuar SYRI.net.
Por SYRI.net sërish i referohet dokumenteve zyrtarë të qeverisë amerikane. Ky është urdhri i ish Presidentit Amerikan Barack Obama, që e liston Gunvor në listën e kompanive problematike, duke e cilësuar pronarin e saj Genady Timchenco si njeri I qarkut të afërt me Putin.

“Genady Timchenco është një prej themeluesve të Gunvor. Aktivitetet e Timchencos në fushën energjetike janë lidhur direkt me Putin,” thuhet në urdhrin e ish Presidentit Amerikan Obama, i cili e liston këtë kompani në listën e zezë.
SYRI.net pranon se në shkrimin e mëparshëm ka patur vetëm një pasaktësi, që ka lidhje me datën e themelimit të Gunvor, pasi ne kemi thënë se kompania ka dhjetë vjet në treg, ndërkohë që ajo është themeluar para 18 vjetësh. Por të gjitha faktet e tjera, të cilat Gunvor pretendon se janë të rreme, SYRI.net i mbështet me dokumente zyrtarë, të qeverisë amerikane dhe mediave më prestigjioze.
Konfirmimi se kryeministri shqiptar ka takuar grupin Gunvor duke biseduar për naftën shqiptare në mënyrë të fshehtë është një skandal i madh gjeopolitik.
Hyrja në negociata me një kompani, e cila ndonëse është shkëputur nga Genady Timschenco nuk ka mundur të shkëputet nga hijet ruse të së shkuarës, e vendos Shqipërinë në një kurs përplasje me aleatët e saj strategjik, Bashkimin Europian dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /SYRI.net/

Exit mobile version