Konte, jo optimist

Trajneri i Chelsea, Antonio Konte, tashmë ka në mendje ndeshjen e dytë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, të mërkurën e ardhshme. Kur ai ishte trajner i Juventusit iu kundërvu me sukses skuadrës katalanase, por nuk duket shumë i bindur për të bërë të njëjtën gjë tani, pasi argumenton se ekipit të tij i mungon përvoja në krahasim me kampionët italianë: “Ne nuk kemi përvojë, duhet ta ndërtojmë atë gjatë viteve. Juventusi ka një kapacitet të madh për përshtatje, ka vuajtur shumë dhe e ka mbyllur me sukses kthimin me Tottenham. Këtu ka ndikuar përvoja dhe shumë lojtarë, që e kanë fituar Ligën e Kampionëve në të kaluarën ose që kanë luajtur disa finale”. Trajneri italian, i cili gjendet para sfidës së kthimit në “Camp Nou”, beson se do të jetë e vështirë për t’i eliminuar blaugranat, sidomos duke e ditur se rezultati i ndeshjes së parë (1-1) favorizon të besuarit e Ernesto Valverde. “Përvoja është gjithmonë e rëndësishme. Ne duhet të punojmë si ekip, që të jemi gati. Patjetër, duhet të jemi të përgatitur të vuajmë në këtë lloj ndeshjeje, sepse kur luani kundër këtij ekipi, një nga më të mirët në botë, duhet të jeni gati të vuani”. Trajneri italian është i shqetësuar që sulmuesi spanjoll, Morata, nuk po shënon. Ai nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës që nga viti 2017, ishte zëvendësues në takimin e fundit kundër Crystal Palace.

Luajti 18 minuta, por kreu një pakujdesi, që mund t’i kushtonte atij shtrenjtë. Pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, sulmuesi protestoi për një goditje këndi që arbitri nuk ia dha, deri në atë pikë, sa ia hodhi flamurin në terren gjykatësit të linjës. Veprimi i kushtoi atij vetëm karton të verdhë. Konte pranoi se i flet atij privatisht: “Normalisht, unë flas me lojtarët e mi ballë për ballë, veçanërisht në qoftë se kjo është një situatë që duhet të përmirësohet dhe natyrisht, kjo është një situatë që mund të përmirësohet me Alvaron”. Cesc Fàbregas kthehet në “Camp Nou” të mërkurën. Për herë të parë, që nga largimi prej Barcelonës në vitin 2014, mesfushori do të luajë kundër asaj, që ishte shtëpia e tij. Do të ketë veshur fanellën e Chelsea, me të cilën shpreson të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Në një intervistë për “Marca”, Cesc pranon se e motivon e kaluara me klubin katalanas dhe nuk e pengon, por nuk është në gjendje të thotë nëse do të festojë po shënoi gol në “Camp Nou”. “Nuk e di nëse do të festoj, por nuk besoj, varet nga momenti, tha Fabregas. Nuk më bezdis fakti se do të luaj kundër të kaluarës sime, kundër miqve. Në të kundërtën, kjo më motivon. Në fund të fundit, askush nuk ka dyshime se do të kërkoj më të mirën për ekipin tim. Chelsea është më i rëndësishëm. Çfarë ndodh me mua, është dytësore. Ajo që ne duam është të kualifikohemi në çerekfinale, asgjë tjetër”.