Gratë në Shqipëri të pambrojtura përballë dhunës qeveritare dhe në familje

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi ngriti shqetësimin në Uashington për përkeqësimin e statusit të grave dhe vajzave në Shqipëri.
Në takimet me drejtuesen e Grupit të Bankës Botërore, kongresmenë, zv.Sekretaret e Shtetit për Thesarin, drejtues të lartë të USAID, drejtues të Agjensisë për Bizneset e Vogla e të Mesme dhe institucioneve e organizatave amerikane që luftojnë për të Drejtat e Grave, zonja Vokshi shprehu shqetësim për politikat shtrënguese të Qeverisë së Tiranës që po rrisin çdo ditë varfërinë, kryesisht mes grave dhe vajzave.
Albana Vokshi ngriti shqetësimin se fuqizimi ekonomik i grave në Shqipëri mbetet një objektiv shumë i largët, ndërsa vendi po braktiset çdo ditë nga eksodi i varfërisë dhe humbjes së shpresës. “Varfëria, papunësia në rritje, mungesa e aksesit në arsim, shëndetësi, shërbime sociale, barrierat e shumta në ndërmarrjet ekonomike, kanë më shumë se trefishuar rastet e dhunës në familje”, tha Vokshi gjatë prezantimit të saj në Capitol Hill.

Kryetarja e LDGSH vuri në dukje se, fondet për shëndetin e grave vidhen përmes konçesioneve korruptive; dyert e arsimimit të mijëra vajzave që i përkasin sidomos familjeve të varfëra janë mbyllur qëllimshëm nga qeveria. “Asnjë politikë mbështetëse, përkundrazi, dhjetëra mijëra familjeve, kryesisht gra kryefamiljare me disa fëmijë, së fundmi, qeveria u ka hequr edhe të ardhurat minimale nga Ndihma Ekonomike”, u shpreh Vokshi.
“Realiteti i trishtë sot është se gratë shqiptare janë varfëruar dhe shumë prej tyre në zonat jashtë metropolit jetojnë në skamje. Gratë dhe fëmijët janë shfrytëzuar në plantacionet e drogës dhe vazhdojnë të shfrytëzohen në landfillet e mbetjeve”, theksoi Albana Vokshi.
Zonja Vokshi prezantoi iniciativën e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë për miratimin në Parlament të Rezolutës Kundër Dhunës në Familje, si dhe nismën e lançuar në 3 mars nga LDGSH “Pranvera e Grave Kundër Varfërisë”. Kjo është një fushatë ndërgjegjësuese, që synon të mobilizojë të gjitha degët e LDGSH për të rritur forcën reaguese ndaj pengesave për të Drejtat Ekonomike të Grave.
Albana Vokshi, e cila ishte e ftuar në Uashington në Konferencën e organizuar nga Instituti Republikan Amerikan dhe Rrjeti i Grave për Demokraci për Ditën Ndërkombëtare të Grave kërkoi mbështetjen e organizatave simotra për realizimin e nismave të LDGSH në ndihmë të grave shqiptare.