Çfarë do të ndodhë me kompjuterët në të ardhmen?

Si të gjitha ndërmarrjet e mëdha njerëzore, gara për inteligjencën artificiale ndërthur ideale shumë të larta dhe interesa konkrete. Kristofor Kolombi e zbuloi Amerikën, duke kërkuar një rrugë të re tregtare; në Hënë kemi shkuar, sepse Shtetet e Bashkuara, në kulmin e Luftës së Ftohtë, donin të tregonin se ishin shumë më përpara se Rusia në fushën e kërkimit teknologjik. Sot, Presidenti rus Putin nuk ka dyshime: «Kush do të zhvillojë inteligjencën artificiale më të mirë do të bëhet padroni i botës». Një etimologji shumë e rëndomtë e termit inteligjencë na çon në aftësinë e të «lexuarit brenda» të gjërave, një tjetër është ajo e të «lexuarit midis gjërave». Domethënë, qysh këtu, nuk është e qartë nëse inteligjenca është aftësia e zgjidhjes së problemeve dhe e imagjinimit të situatave të reja apo ajo e të bashkuarit midis tyre dije tashmë ekzistuese. Një pikëpyetje jo për t’u lënë pasdore, që megjithatë nuk ka penguar zhvillimin dhe adoptimin e testeve të inteligjencës: kështu që masim nuk dihet si një cilësi që nuk e dimë se çfarë është. Të studiosh inteligjencën artificiale do të thotë të studiosh inteligjencën njerëzore, duke e përfshirë funksionimin për t’i replikuar mekanizmat. Për shembull, për shkencëtarin britanik Alan Turing një makinë është inteligjente nëqoftëse është në gjendje të bindë atë që po e përdorur se ka përballë një njeri. Kompjuteri u përgjigjet pyetjeve specifike, të drejtuara njëkohësisht edhe një njeriu, dhe anëtarët e jurisë duhet të kërkojnë se kush prej të dyve është bashkëbiseduesi i tyre. Teksti, i përshkruar tek “Makina llogaritëse dhe inteligjencës” konsiderohet i tejkaluar në rast se, kompjuteri arrin që t’i mashtrojë gjykatësit të paktën 1/3 e rasteve. «Në të gjitha përkufizimet e inteligjencës ka një pikë të dobët», vëren Marcello Pelillo, Profesor i Brendshëm Informatike në Universitetin “Ca’ Foscari” të Venezia dhe Drejtor i European Centre for Living Technology. «Por testi i Turing na jep një përkufizim operativ, të bazuar mbi atë që një makinë është në gjendje të bëjë, dhe për këtë arsye pas 68 vitesh është akoma i vlefshëm».

Simbolet e manipuluara
Turing kishte parashikuar se një ditë ose një tjetër një kalkulator do ta kalonte provën e tij, megjithatë kriteri me të cilën një makinë barazohet me një qenie njerëzore nuk e kënaq as njërin, as tjetrin: inteligjenca artificiale është aftësia për të mashtruar njerëzit, për t’i bërë të besojnë se janë ndryshe nga sa je. Por imitimi i një mendimi është në vetvete mendim? «Në gjendjen aktuale të gjërave, është e vështirë të theksohet se kompjuterët janë të aftë të mendojnë, vazhdon Pelillo – nuk bëjnë gjë tjetër veçse manipulojnë simbole». Analizojnë sasira të jashtëzakonshme të dhënash dhe u japin përgjigje pyetjeve të sakta, duke mbajtur parasysh bashkëbiseduesin, situatën, kontekstin. Siri e pyesim se çfarë moti është, Google Assistant nëse ka trafik apo jo, Cortana të na sugjerojë se çfarë filmi të shohim, Alexa të na luajë një këngë. Sisteme më komplekse investojnë në bursë, kontrollojnë rrjetet elektrike, interpretojnë analiza klinike, caktojnë rrugë për avionë e kamionë. Por inteligjenca artificiale jep përgjigje, nuk bën pyetje: ajo që i bën është inteligjenca njerëzore. Pa e shqetësuar shumë «cogito ergo sum» të Dekartit, ai i një kompjuteri realisht nuk mund të quhet mendim, pasi makina nuk është e vetëdijshme se është subjekti që mendon. Analizon miliona imazhe, mëson të dallojë një mace nga një qen, korrigjon e vetme gabimet e saj dhe rafinon algoritmin e saj, e megjithatë nuk e di se çfarë po bën. Inteligjenca artificiale e mund njeriun në shah apo në lojën Go, por nuk e njeh diferencën midis lojës dhe realitetit; zbulon planete të reja, megjithatë nuk e di se çfarë është planeti. Machine learning rrit njohjen, ama jo dijen. Mund edhe të bëhet problem, nëse inteligjencës artificiale i delegohen vendime që bien drejtpërsëdrejti në fushën e etikës: i vënë përballë zgjedhjes, një automobil me drejtim automatik do ta shpëtojë vozitësin e moshuar apo fëmijën që kalon rrugën? Do të dënojë gjithmonë me dënimin e duhur të akuzuarin, edhe nëqoftëse i përket një pakice etnike apo kulturore? «Tek machine learning bëhet stërvitje dhe jepen të dhëna, por është makina ajo që i proceson», shpjegon sërish Pelillo. «Rezultati final është diçka që nuk mund ta shikojmë, ku është vështirë të flitet për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të një programuesi. Sigurisht, mund të vigjëlojmë që të dhënat e siguruara të jenë sa më shumë të jetë e mundur të privuara nga paragjykime dhe prirje njerëzore, por sidomos të jetë sa më transparent procesi vendimmarrës i inteligjencës artificiale». Inteligjenca që shpjegon vetëveten quhet XAI, Explainable Artificial Intelligence, dhe është objekt kërkimesh qysh nga vitet ’70. Por me normat e reja europiane e mbrojtjes së të dhënave shpejt do të jetë edhe një pjesë e jetës tonë të përditshme. Në fakt, nga muaji maj çdo qytetar i komunitetit do të mund të kërkojë të dijë nëse një vend i rëndësishëm që e prek merret nga një algoritëm dhe mbi bazën e cila arsyeve. Për një herë, ligji është më përpara sesa teknologjia.

Beteja ekonomike
«Ka filluar gara për superioritetin në fushën e inteligjencës artificiale në nivel kombëtar, nga këtu mund të lindë Lufta e Tretë Botërore», ka shkruar në Twitter, Elon Musk. Musk është themeluesi i Tesla dhe i kompanive të tjera hi-tech në kufijtë e fantashkencës, kështu që sigurisht nuk mund të akuzohet për ludizëm. Por dyshimi se mund të ketë të drejtë vjen natyrshëm, po të lexosh planin ambicioz të Kinës për t’u bërë lideri global i inteligjencës artificiale. Është strukturuar në tri etapa pesëvjeçare: të vihet në hapin e teknologjive e të aplikacioneve brenda vitit 2020; të arrijë objektiva parësorë brenda 2025; ta bëjë Kinën vendin e parë me inteligjencën artificiale më të zhvilluar në botë brenda 2030. Sektorët e lidhur me inteligjencën artificiale vlerësohen në 1000 miliard juan dhe Pricewaterhouse Coopers parashikon që kjo shumë do të kontribuojë për ta rritur me 36% PBB-në e Republikës Popullore brenda vitit 2030. Në vend ekzistojnë kushte ideale për zhvillimin e inteligjencës artificiale: përveç investimeve (në 5 vitet e ardhshme 150 miliard juan, rreth 22 miliard dollarë), një teknologji shumë e avancuar, inxhinierë të mirëpërgatitur, një databazë e madhe nga e cila mund të vilet në liri thuajse të plotë. Rritja është globale: investimet e venture capital në inteligjencën artificiale në 9 muajt e parë e 2017 kanë arritur në 7.6 miliard dollarë, kundrejt 5.4 miliardëve e të gjithë 2016 (burimi PitchBook). Loja luhet sidomos midis Kinës dhe Amerikës, anipse – siç nënvizon Andrus Ansip, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian – sot është Europa prodhuesi i parë i robotëve. Nga pikëpamja e financimeve, Kontinenti i Vjetër është prapa Republikës Popullore të Kinës dhe

Projekti SPARC, një ndër më të rëndësishmit, llogarit për periudhën 2014 – 2020 700 milionë euro në fonde komunitare, të cilave u shtohen 2.1 miliardë në investime private. Por në Bruksel diskutohet një protokoll për qarkullimin e lirë e të dhënave publike e private, që do të mund të përdoren për machine learning, dhe jepen fonde në favor të kërkimeve lidhur me kompjuterët e rinj kuantikë, që premtojnë fuqi llogaritëse shumë më të mëdha se aktualet. Mbi inteligjencën artificiale vënë bast të gjithë të mëdhenjtë e kompanive, nga Google tek Facebook, nga Baidu tek Microsoft: «Punësojnë gjithnjë e më shumë kërkues të famshën dhe për ne problemi është një problem i rëndësishëm, pasi axhenda diktohet nga kompanitë, jo nga universitetet. Nuk është lajm i mirë që kërkimi shkencor është i dominuar nga një temë e vetme, siç është sot machine learning, por shpjegohet me faktin se, këto kompani kanë akses tek të dhënat, infrastrukturat dhe makinat si askush tjetër», thotë Pelillo. Sipas një studimi më të fundit të Accenture Strategy, inteligjenca artificiale mund të stimulojë punësimin dhe të bëjë që të rriten të ardhurat e kompanive, deri me 38% brenda 2020, nëqoftëse do të investoheshin në një bashkëpunim efikas njeri – makinë. Për ekonominë botërore do të nënkuptonte një rritje të fitimeve të barabartë me 4.8 trilionë dollarë, por sidomos një rimendim i thellë i sistemit prodhues: makinat do të duhet t’u besohen detyrat më të thjeshta, ndërsa miliona punëtorë në të gjithë botën do të duhet të shpikin një rol të ri dhe një funksion të ri. Një revolucion i ri industrial, që pashmangshmërisht do të lërë diçka prapa: për këtë arsye Papa ka parlajmëruar në një letër të tij të mëdhenjve të botës të mbledhur në Davos «për një shoqëri përfshirëse, të drejtë dhe që jep mbështetje». Ati i Shenjtë ka nënvizuar edhe se «inteligjenca artificiale, robotika dhe novatorizma të tjera duhet të përdoren për të kontribuar në shërbim të njerëzimit dhe për mbrojtjen e shtëpisë tonë të përbashkët sesa e kundërta, siç parashikojnë fatkeqësisht disa vlerësime».

Armë inteligjente?
Në fakt, inteligjenca artificiale do të përdoret në automobile, në qytete, në industri, në shërbime, por edhe në ushtri, për të krijuar instrumenta gjithnjë e më shkatërrues dhe mjete mbrojtjeje gjithnjë e më efikase. Një raport i kohëve të fundit i Harvard University e përkufizon impaktin potencial të inteligjencës artificiale në sektorin ushtarak si «të fuqishëm njëlloj si ai i bombës atomike». Bile më shumë, pasi për të ndërtuar një bombë atomike nevojiten Akoma struktura dhe dije, të cilat pak vende i disponojnë, ndërsa zhvillimi i një software për të mashtruar strukturën informatike të një ushtrie armike është një operacion relativisht me çmim të lirë. Rusia punon prej kohësh për dronet, mjetet ushtarake autonome dhe duket se po zhvillon raketa në gjendje që të individualizojnë radarët në trajektore dhe të vendosin vetë lartësi, shpejtësi e drejtim fluturimi në mënyrë që të mos interceptohen. Brenda vitit 2025, Moska llogarit që të ketë 30% të armëve në zotërim të ushtrisë të kontrolluar nga ndonjë formë inteligjence artificiale. Qysh dy vite më parë, ka paraqitur Platform-M, një robot për t’u përdorur në zona lufte, i pajisur me zinxhirë dhe i armatosur me kallashnikov dhe granata: ideal për të patrulluar zona të rrezikshme, për aksione mbrojtëse, por edhe në gjendje që të sulmojë, sidomos natën. Nuk është vetëm prototip: është përdorur në operacione të ndryshme ushtarake. Për këtë arsye, shtohen apelet e shkencëtarëve dhe filozofëve me qëllim që përdorimi i inteligjencës artificiale në fushën ushtarake të jetë i rregulluar ndërkombëtarisht. Gjendja është akoma në fazën e diskutimit.

Përgjigjja
Kërkimet ecin me shpejtësi dhe ka nga ata, si Ray Kurzweil, që parashikojnë se kompjuterët do të arrijnë vërtet një inteligjencë të nivelit njerëzor. Përkundrazi, përgjegjësi i kërkimeve lidhur me machine learning i Google na jep edhe një datë: vitin 2029. Pastaj, gjithmonë sipas Kurzweil, punë vitesh, në 2045, do të vijë veçantia teknologjike: inteligjenca artificiale do të kalojë atë njerëzore. Kompjuterët do të shpikin kompjuterë të tjerë, më inteligjentë e kështu me radhë, në një zinxhir të pafundëm.
Arritja që të ndriçohet në silic drita e inteligjencës do të ishte arritja më e madhe njerëzore, siç nënvizon Steven Hawking, por nga ëndërr mund të transformohet në një makth. E tregon shumë mirë shkrimtari Fredric Brown, në një tregim të vitit 1954 me titullin “The Answer”. «A ka Zot?», e pyet një inxhinier ndërthurjen e koklavitur të kompjuterëve që përbëhet nga llogaritësit e 96 miliardë planeteve të banuara. Dhe makina i përgjigjet: «Po, tani Zot ka».
(nga La Stampa)
Përgatiti
ARMIN TIRANA