Gonzalo Higuain dha goditjen e tij të fortë në mes të “Wembley”, mbrëmjen e të mërkurës. Mjaft i diskutuar për disa, i padiskutueshëm për të tjerët, ish-lojtari i Real Madridit e dërgoi Juven në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në momentin kur ishte më e vështirë. “Kjo skuadër ka një zemër dhe për këtë arsye, kurrë nuk e ngremë flamurin e bardhë. Asnjëherë dhe rezultatet janë atje”, tha sulmuesi argjentinas për “MARCA”, pas ndeshjes kundër Tottenham.
– A e keni festuar golin me zemërim, për diçka të veçantë?
Jo, nuk ishte një moment i komplikuar. Ne u kualifikuam dhe na nevojitej diçka e tillë. Ishte goli im, ai që na vuri përsëri në shinat e duhura, prandaj festova në atë mënyrë.
Duket se ka pasur shfryrje, dedikim…
Aspak, fare. Kam shumë vite, në të cilët nuk më intereson ajo që thuhet. Kritikat shkatërruese më futen përmes një veshi dhe dalin jashtë përmes tjetrit. Ata që përpiqen të kontribuojnë, i dëgjoj. Nuk iu kushtoj vëmendje të madhe lavdërimeve. Maksima ime gjithmonë ka qenë e njëjtë dhe nuk është tjetër, veçse puna në heshtje. Po stërvitem, jam me grupin, luaj dhe asgjë tjetër. Ajo që është thënë nuk ka rëndësi për mua. Unë kam një dekadë, dymbëdhjetë vite në mënyrë specifike, që luaj në nivelit e parë në Europë. Jam i vetëdijshëm për atë që thuhet, por nuk jam i interesuar. Shënimi i një goli të rëndësishëm në “Wembley” mjafton për ta festuar në atë mënyrë. Asgjë më shumë. Nuk ishte një shfryrje, as dedikim. Unë do të vazhdoj të punoj në të njëjtën mënyrë. Në heshtje dhe për ta ndihmuar ekipin. Nga çdo gjë që ndodh, gjithmonë jam me atë që më thonë miqtë.
A mund të na shpjegoni se si është e mundur ajo që bëri Juventusi kundër Tottenhamit? Goditja e parë, gol. Goditja e dytë, një tjetër gol…
Vetëm karakter, por mbi të gjitha zemra. Ne besojmë si ekip. Jemi të gjithë të rëndësishëm dhe kur gjërat janë më të këqija, shfaqet shpirti i grupit, i mosdorëzimit, çka ndodhi ndaj Tottenham. Ne ishim në humbje, por kurrë nuk hoqëm dorë. Jemi ende “gjallë” në të tria garat sezonale dhe dëshirojmë t’i fitojmë ato. Ky është Juventusi.

Dhe çelësi?
Konkurrojmë dhe kemi ambicie për të fituar, kurrë nuk e harrojmë këtë mburojë.
– A jeni i lumtur dhe i identifikuar?
Shumë i lumtur për t’i dhënë Juventusit atë që më jep. Trajtohem mrekullisht dhe për këtë jam i lumtur, sidomos pas triumfit të ekipit. Nuk mund të jem në një ekip më të mirë. As Premier League nuk ma afron diçka të tillë.
– Goli dhe asisti për Dybala…
Pak nga pak po bëhet më mirë. Ne kemi nevojë që Dybala të jetë në krye dhe goli do të vijë. Ai ka pasur probleme fizike dhe po i tejkalon ato. Një çështje kohe, sepse cilësia e tij njihet në të gjithë botën.
– A preferoni ndonjë rival në çerekfinale të Champions-it?
Atje nuk mund të bëjmë asgjë. Ne nuk mund të ndikojmë në asnjë mënyrë, prandaj presim shortin dhe asgjë tjetër. Çdokush do të jetë një kundërshtar i komplikuar, duke përfshirë edhe ne, por shpresoj të kemi fat.
– Sa larg mund të shkojë Juventusi? A mendoni se ka ardhur viti për ta fituar Ligën e Kampionëve?
Për momentin ne synojmë t’i fitojmë të tria garat. Champions-i është diçka e rëndësishme dhe merr më shumë vlerë, pasi kemi eliminuar Tottenhamin në “Wembley” dhe me gjithçka kundër. Ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe hap pas hapi do të shohim ku do të mbërrijmë.
Kupa e Botës po afrohet dhe do të ktheheni në ekipin kombëtar…
Jam i gëzuar për këtë. Kemi përpara dy ndeshje të rëndësishme miqësore, njëri prej tyre kundër Spanjës, që do të jetë një mundësi e mirë për të treguar potencialin e Argjentinës përpara fillimit të Kupës së Botës. Mua më pëlqen angazhimi me kombëtaren, kam ende sfida të rëndësishme.
– Sa larg mund të shkojë Argjentina në Kupën e Botës?    
Me përulësi, por ne aspirojmë për gjithçka. Së pari të luajmë dy miqësoret e këtij muaji dhe pastaj të mendojmë për Kupën e Botës. Me qetësi.