Ushqimet dhe faturat e ujit rrisin çmimet në shkurt

Shtrenjtimi i ushqimeve dhe rritja e çmimit të ujit në kryeqytet kanë bërë që inflacioni të përshpejtohet në muajin shkurt. Ndryshimi vjetor i çmimeve ishte më i larti që prej qershorit të vitit 2017.
Në muajin shkurt 2018 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,1%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 2,2%, raportoi INSTAT. Pavarësisht rritjes, indeksi mbetet poshtë synimit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, për disa vite radhazi tashmë, duke dëshmuar për një konsum relativisht të ulët, por edhe inflacion të ulët të importuar, të ndihmuar dhe nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit të muajit shkurt 2018, krahasuar me janar 2018, është 0,8%.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,62 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan”, kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin shkurt 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,1%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 2,9%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7%, “Transporti” me 2,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7%, “Shërbimi arsimor” me 0,6%, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 17,8%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,9%, “zarzavate përfshirë patatet” me 4,0%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,8%.
Ndryshimi mujor i indeksit është +0,8%. Krahasuar me muajin janar 2018 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike me 2,0%, pasuar nga grupet “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,4% secili. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” shënuan një ulje prej 0,6%.