United kërkon të rinovojë kontratën me Martial

Manchester United ka besim se do të mbajë për një kohë të gjatë Anthony Martial në skuadër, pasi ka planifikuar të rinovojë kontratën me sulmuesin francez, sipas asaj që bën të ditur shtypi anglez. Martial i ka nisur bisedimet me drejtuesit që në fund të dhjetorit, por marrëveshja ende nuk është arrirë, pavarësisht se palët kanë dëshirë të vazhdojnë bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Jose Mourinho ka dhënë miratimin e tij për rinovimin e sulmuesit që ka shënuar 36 gola në 129 ndeshje të luajtura me “djajtë”, që kur erdhi nga Monaco. Martial aktualisht ka një kontratë deri në qershor 2019, ndërsa United synon ta rinovojë edhe për një vit më shumë. 22-vjeçari e ka treguar veten si një nga armët më të forta që kanë “Djajtë”, pavarësisht se vuajti në sezonin e parë nën drejtimin e Mourinho duke shfaqur interesimin e Arsenal dhe Tottenham. Arsenal donte ta përfshinte edhe në bisedimet gjatë transferimit Alexis Sanchez në “Old Trafford”, por Jose Mourinho vuri veton për qëndrimin e francezit dhe tani ka urdhëruar rinovimin e kontratës.