Taksa e pronës dhe grupet që taksohen

Qeveria miraton meteodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, bazën e taksës për kategori specifike dhe kriteret e rregullat për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës. Nga 1 prilli, të gjithë personat që kanë në pronësi një shtëpi, garazh të mbyllur apo ambient tjetër do të paguajnë taksë mbi ndërtesën 0.05%, e cila do të llogaritet mbi hartën e vlerës. Taksapagues është çdo individ, person fizik ose juridik, vendës ose i huaj, pronar apo përdorues i pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave. Detyrimin për pagimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” e kanë, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

Vlera e pasurisë
Vlerë e pasurisë është vlera aktuale e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore e njohur me dokumente ligjore, ose vlera e përcaktuar me një nga metodat e përshkruara në këtë metodologji. Vlera e pasurisë është baza e taksueshme mbi të cilën aplikohet shkalla e taksës së pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore. Vlera e pasurisë llogaritet si shumëzim i çmimit për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore. Ndërsa “veprimtari ekonomike”, konsiderohet çdo veprimtari e kryer nga prodhuesit, tregtarët, personat që furnizojnë mallra dhe shërbime, përfshirë veprimtaritë nxjerrëse, industriale, tregtare, të shërbimit, bujqësore dhe veprimtaritë profesionale. Veprimtari ekonomike konsiderohet gjithashtu, shfrytëzimi i pasurisë së trupëzuar ose të patrupëzuar, me qëllim realizimin e të ardhurave me karakter të vazhdueshëm. “Çmim vlerësues”, njësia matëse e vlerës për metër katror të sipërfaqes së ndërtimit të pasurisë së paluajtshme. Ky çmim mund të jetë çmimi i tregut ose çmimi i vlerësuar i përcaktuar me këtë metodologji.
“Ndërtesë”, objekti/objektet e ndërtuara mbi/nën sipërfaqen e tokës ose të lidhura me tokën dhe që përfaqëson një strukturë ndërtimore me një ose më shumë njësi pronësore, e cila është objekt i taksës mbi ndërtesën sipas përcaktimit të dhënë në ligj. “Ndërtesë e papërfunduar”, objekti ndërtimor në tërësi ose/edhe ajo pjesë e ndërtesës ekzistuese, për të cilin zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi, por që nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Faturë më e shtrenjtë për ujin e pijshëm
Në muajin prill, fatura e ujit për të gjitha familjet në Shqipëri do të jetë më e shtrenjtë. Qeveria ka vendosur që taksën e pasurisë t’ia lerë në dorë bashkive për ta mbledhur, e agjenti tatimor në këtë rast do të jetë Drejtoria e Ujësjellësit. Nëse sot një familje në kryeqytet paguan për shtëpinë e tij taksën e pasurisë, në bazë të metrave katrorë që ka, nga prilli ai do e paguajë atë në bazë të vlerës së shtëpisë. Mesatarisht, taksa e cila do të reflektohet te fatura e ujit, do të jetë afërsisht 400 lekë në muaj, për një shtëpi që ka një vlerë 8 milionë lekë. Sipas metodologjisë së re, taksa nuk do të ndryshojë shumë për shtëpitë, të cilat ndodhen në periferi, e do të rritet për ato që janë më afër zonave të qendrës. Edhe për bizneset, taksa e pronës do të mbahet po ashtu te fatura e ujit. Në planin e saj fillestar, Ministria e Financave mendoi që agjenti i cili do të vilte tatimin ishte kompania OSHEE, por tashmë ka vendosur t’ia lerë në dorë pushtetit vendor, deri në ngritjen e kadastrës fiskale. Çdo individ detyrohet që të paguajë në vit 0.05% të vlerës reale të shtëpisë së tij, ndërsa biznesi 0.2% të vlerës.