Qeveria braktis Shkodrën, banorët të izoluar nga uji, pa asnjë ndihmë

Situata nga përmbytjet në Shkodër po shkon drej katastrofës. Rreth 3 mijë hektarë sipërfaqe tokë në zonën e NënShkodrës ndodhen në ujë. Shumë fshatra janë izoluar, dhe është dëmtuar ujësjellësi. Niveli i ujit në lumin Drin është në rritje dhe përmbytjet po zgjerohen. Banorët flasin për situatë alarmante. “Çdo gjë është e mbuluar me ujë dhe lëvizja është e pamundur. Populli është i izoluar komplet dhe nuk kanë si të lëvizin. Situata është edhe më keq. Nga mbrëmë ka shtuar gjysmë metër ujë”, shprehet një banor.
“Njëri thotë dil atje, tjetri thotë dil atje… Buna gjithkund, uji gjithkund. Shtëpia tu u mbyt brenda…”, thotë një banor tjetër.
Banorët thonë se nuk ka patur asnjë ndihmë nga qeveria. Ata thonë se kanë nevojë për furnizim me ushqime për banorët dhe bagëtitë. “Për bagëti, ai që i ka, shumë problem është. Asnjëfarë ndihme nga qeveria… as lekë e asgjë”, thonë banorët.
Më emergjente situata është në Bushat dhe Dajç. Ura e Gjolulit është dëmtuar, ndërsa aksi rrugor që lidh Darragjatin dhe Shirqin janë bllokuar.
Rrugë të bllokuara raportohen edhe në Obot. Ujësjellësi i Oblikës është përmbytur dhe është jashtë funksionit për rreth 800 banorë. Në rrezik përmbytjeje është edhe Ujësjellësi Oblika 2. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion varka dhe mjete transporti për banorët, ndërsa janë shpërndarë ndihma ushqimore për zonat e bllokuara.
“Pavarësisht kësaj situate të përkeqësuar jo vetëm në Dajç, por edhe në Anën e Malit, Bërdicë, Velipojë, Guri i Zi, prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja, vijon të refuzojë kërkesën për shpalljen e emergjencës civile në këto zona”, vëren Bashkia.

Banorët lëvizin vetëm me lundra
Në zonën e NënShkodrës banorët po lëvizin vetëm me varka ose me lundra. Niveli i ujit është rritur për shkak të reshjeve dhe të prurjeve nga shkarkimi i HEC-ve. Një vogëlush ka disa ditë që nuk largohet nga shtëpia. Rreth shtëpisë së tij në Obot të Shkodrës, uji ka mbërritur 50 cm. Por diku në rrugë edhe një metër. Të tjerë të vegjël e të rritur janë bllokuar në Zonën e NënShkodrës, situata e së cilës nuk është përmirësuar. Reshjet rritën më tepër nivelin e ujit dhe sipërfaqet e përmbytura. Prurjet e lumit Drin gjithashtu janë shtuar.
Në Anën e Malit janë përmbytur 1000 ha tokë, në Obot 310 ha tokë, në Oblikë 290 ha dhe në Muriqan 400 ha tokë. Forcat e Ushtrisë kanë vënë në dispozicion varka dhe mjete të larta për transportin e banorëve.
Ujësjellësi Oblika është përmbytur dhe është jashtë funksionit. Për pasojë, rreth 800 banorë nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm. Rrezikon të përmbytet dhe Ujësjellësi “Oblika 2”. Kurse në fshatin Obot disa segmente rrugorë janë bllokuar dhe emergjente është ushqimi i bagëtive.
Ministria e Mbrojtjes nisi shpërndarjen e pakove me ushqime. Por po merren masa edhe për zhbllokimin e segmenteve në Gur të Zi dhe në Gropat e Selcës në Malësine e Madhe. Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se, përmbytje ka në Bushat 300 ha tokë dhe është dëmtuar Ura e Gjolulit. Në Dajçin e Bregut të Bunës janë përmbytur 430 ha tokë. Aksi rrugor rural që lidh fshatin Darragjat me fshatin Shirq është i bllokuar dhe në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore.

Fshati i kthyer në ishull
Në fshatin Obot nuk mund të depërtohet veçse me varka. Banesa dhe oborre të mbuluara nga uji. Në Njësinë Administrative Ana e Malit, janë përmbytur 1000 ha tokë, si dhe 370 ha jonxhë, 180 ha foragjerë, 442 ha livadhe, 1 ha vreshta, 2 ha sera dhe 5.2 ha bimë dekorative. Në fshatin Obot, Forcat e Armatosura nga Reparti Ushtarak Vau-Dejës kanë shkuar për ndihmë për transportimin e komunitetit me 1 mjet transporti dhe 2 varka.
Në fshatin Obot disa segmente rrugore janë bllokuar. Ujësjellësi Oblika është përmbytur dhe është jashtë funksionit dhe rreth 800 banorë nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm. Rrezikon të përmbytet dhe Ujësjellësi Oblika 2.
Ministria e Mbrojtjes dhe e Energjisë thotë se, përmbytja ka ardhur për shkak të fryrjes së lumejve nga reshjet dhe shkrirja e borës. Ndërkohë, banorët pretendojnë se përmbytja ka ardhur nga shkarkimet e HEC-ve.