Miti i Iker Casillas në Champions Ligë

Portieri spanjoll mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit në turneun e madh europian për klube. Shumë pak mund të mburren me numrat e tij. Të dhënat e ish-kapitenit të Real Madridit, kampion Europe dhe bote me Spanjën, janë për rekord. Historia e kampionëve nuk do të ishte e njëjtë pa trajektoren e Casillas. Askush nuk ka luajtur aq shumë ndeshje në Champions, si legjenda e Real Madridit, prej tri sezonesh (të fundit) te Porto. Portieri spanjoll ka 171 ndeshje në Ligën e Kampioneve, i pasuar nga Xavi (157) dhe Cristiano Ronaldo (152). Mesfushori katalanas e sheh veten në veprim, por jashtë Champions-it, ndërsa ylli portugez mund ta superojë ish-kapitenin e tij në Madrid në të ardhmen. Por Casillas mban më shumë rekorde. Ai ka më shumë fitore në Champions (98) dhe është portieri që e ka mbajtur më shpesh të pastër portën e tij në këtë kompeticion (59 ndeshje). Tre titujt e tij me Real Madridin e provojnë statusin e tij si mit. Në “Anfield”, ai mund të ketë luajtur ndeshjen e fundit në këtë garë kontinentale. Ky grafik është një “haraç” për karrierën e tij në turneun më të lartë europian të klubeve. E meriton!