Imami: Debati bëhet vetëm në parti, të përfshihen kritikët

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Arben Imami, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, tha se Kuvendi Kombëtar nuk mund të mblidhet pa thirrur më parë Këshillin Kombëtar. Imami e ka cilësuar të njëanshme analizën e zhvilluar në PD, pasi nuk përfaqësohej mendimi i shumë anëtarëve të kësaj partie.
“Duhej të ishte mbledhur Këshilli Kombëtar, përpara Kuvendit. Analiza ishte e njëanshme, nuk përfaqësohej mendimi i shumë anëtarëve të PD. Propozimi për thirrjen e Kuvendit nuk është i motivuar, ndërsa zgjidhjet nuk mund të vijnë nga grupet e punës që janë burokratik.
PD ka nevojë për diskutim serioz dhe politik. Që pas zgjedhjeve në sondazhet që bëhen në Shqipëri, PD dhe kryetari i saj janë në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që ne kemi një qeverisje shumë të keqe, nuk mund të imagjinohet, një qeverisjeje që po harxhon edhe buxhetet e ardhshme dhe mendoj se ky është problemi.
Unë nuk jam as i afruar dhe as i larguar nga PD, unë jam në PD. Unë përfaqësoj veten time në PD dhe mendoj se duhet të përfshihen kritikët dhe ata që konsiderohen si kundërshtarë në një debat serioz dhe transparent. Debati bëhet vetëm në parti”, tha Imami.