Bayern, ja cili është lojtari i këshilluar nga Heynckes

Teksa po afron merkatoja e verës, Bayern Munich ka nisur të mendojë për të gjetur futbollistë në gjendje të përmirësojnë skuadrën e tyre, por mbi të gjitha për të zëvendësuar Arjen Robben dhe Franck Ribery, të cilët do të jenë të lirë nga çdo lidhje kontraktuale në muajin qershor. Një emër që qarkullon në korridoret e bavarezëve është ai i brazilianit të Bordeaux, Malcom. Bordeaux ka bërë të ditur se do ta shesë 21-vjeçarin kundrejt blerësit më të mirë dhe sipas “SportBild”, Jupp Heynckes i ka këshilluar drejtuesit e Bayern të investojnë për të marrë shërbimet e tij. Malcom është kërkuar edhe nga klubet angleze Arsenal, Tottenham dhe Liverpool, pasi ka spikatur në këtë edicion të Ligue 1 me Bordeaux. Futja e Bayern në garë do të rrisë çmimin e lojtarit që në janar kushtonte rreth 50 milionë euro. Ai po synon të fitojë një vend te kombëtarja e Brazilit që do të luajë në Kupën e Botës në Rusi dhe kjo do t’ia rrisë vlerën edhe më shumë. Ndërkohë, veç Robben dhe Ribery nga Bayern pritet që gjatë verës të largohet edhe Vidal, kësisoj bavarezët kanë nevojë për përforcime…