Arrestohet për mashtrim ndërtuesi i njohur në Tiranë

Një ndërtues i njohur në Tiranë ka përfunduar në pranga për mashtrime me shitjen e apartamenteve. Policia e Tiranës bëri të ditur se, ka arrestuar ndërtuesin Namik Pelivani, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Burime zyrtare nga Policia bënë me dije se: Pelivani ka mashtruar shtetasin A.L., të cilit i ka marrë 65 000 euro dhe 3 350 000 lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 107.69 m2, në zonën e Yzberishtit, apartament të cilin e kishte shitur më parë me kontratë noteriale fiktive në vitin 2013 dhe të rinovuar në vitin 2016, për t’i krijuar besueshmëri klientit.
Gjithashtu ky shtatas nuk ka përpiluar fatura shitjeje tatimore, duke kryer transaksione monetare jashtë zyrave të noterit dhe jo me bankë, me qëllim shmangien e deklarimit të të ardhurave. Në cilësinë e provës materiale të dyshuarit iu sekuestruan:
6 kontrata noteriale si dhe dokumenta të ndryshme si çertifikata, skica apartamentesh dhe 1 aparat telefoni celular. Theksojmë se ky shtetas është proceduar më parë edhe 5 herë të tjera nga policia për vepra të ndryshme penale.
Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit të mësipërm, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 180 e Kodit Penal.