I arratisuri i kokainës sponsor i fushatës elektorale të Velisë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se Rama po përgatitet të mbyllë hetimet ndaj Tahirit. Ai tha se zhurma e ngritur me lajmet e rreme në një revistë të paguar nga Soros për ndërhyrje ruse në financimet e lobimeve të PD në Shtetet e Bashkuara është pjesë e skemës të Ramës për të hequr vëmendjen nga ngarkesa e fundit e 613 kg kokainë dhe dosjes Tahiri. “Po përgatitet mbyllja e dosjes së drogës të Tahirit dhe I bëj thirrje Prokurorisë të mos lejojë të urdhërohet nga Rama”, tha Basha.
Kryetari i PD dha detaje nga aksioni policor duke thënë se pritësi i ngarkesës është larguar nga Shqipëria vetëm 24 orë përpara se ndërhyhej për kokainën. Basha tha se çështja e kapjes së një sasie rekord prej 613 kg kokainë, është një çështje e ngjashme me Xibrakën.
Basha tha se atje operonte një laborator i kokainës, e cila u zbulua nga autoritetet gjermane, por në momentin që iu dha informacioni autoriteteve shqiptare, u kapën vetëm disa persona të nivelit të dytë, ndërsa kapot shpëtuan.
Ai u shpreh, referuar informacioneve të TIMS, një nga bosët kryesor u largua nga Qafë Thana, me një automjet të përshtatur për trafikun e drogës, me praninë e vëllait të kryeministrit; Olsi Rama.
Në lidhje me rregullat e funksionimit të Clan del Golfo që kishte dërguar ngarkesën, Basha tha se pritësi duhet të garantojë kokainën. Kush mund ta jepte këtë garanci përvec qeverisë” tha Basha.
“Pronari që priste ngarkesën e kokainës ka punuar në Bashkinë e Tiranës dhe rezulton që të jetë një financues i fushatës së Erion Velisë në Tiranë”, tha Basha.

Basha denoncon takimin e Ramës biznesmenin e listës së zezë amerikane, Timçenko
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të enjten, është shprehur se ndikimi rus në politikën shqiptare ka prekur kryeministrin e vendit, Edi Ramën.Basha tha sonte në studion e emisionit “Opinion”, se kryeministri Rama është takuar fillimisht në zyrën e tij dhe më pas jashtë saj, me kompaninë e naftës Gunvor, konkretisht me themeluesin e kësaj kompanie Genadi Timçenko, i cili është në listën e zezë të autoriteteve amerikane.
“Genadi Timçenko ka hyrë në listën e zezë të autoriteteve amerikane për shkak të shkeljeve të saksioneve në Ukrainë”, tha Basha.

Si po përgatitet mbyllja e dosjes të Tahirit
“PD nuk ka patur dhe nuk ka asnjë kontakt të drejtpërdrejtë ose indirekt me asnjë person apo kompani ruse. Jam 1 mijë përqind i sigurtë. Edhe shqiptarët e dëgjuan. Kjo është teza që Edi Rama ka lancuar në mars 2017. Thotë se në Shqipëri ka krim, drogë, korrupsion, varfëri por unë jam mburoja ndaj Rusisë. Ka qënë deklarata e tij. Tani çfarë ka ndodhur?! Kapet me kokainë, kapet me ministrin e brendshëm dhe thotë se unë mund të bëj krim por Lulzim Basha nuk është europian. Thotë që Tahiri im është marrë me rafikun e drogës por është europian dhe Basha që denoncon trafikun e drogës është pro rus. Është tërësisht teza e Edi Ramës dhe kjo vërteton që gazeta e majtë ka marrë tërësisht tezën e Ramës, e cila financohet nga miku i tij Xhorxh Soros që dihet publikisht që është miku i tij”, tha Basha.
Kryetari i PD, Basha ka treguar se çfarë po luhet pas pagesave të Ramës për shpifjet e revistës “Mother Jones” për të ashtuquajturat lidhje të PD me financimet ruse. “Po përgatitet lirimi i Tahirit nga akuzat e trafikut të drogës dhe këto shpifje kanë dalë tani për të hequr vëmendjen nga ngarkesa e kokainës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është përgjigjur për shkrimin e publikuar nga revista amerikane “Mother Jones” e cila hidhte dyshime se paratë me të cilat u paguan lobuesit në SHBA vinin nga kompani të regjistruara në parajsat fiskale pas së cilave qëndrojnë shtetas rusë.
“Çështja e lobimit të PD është hapur në 14 nëntor kur lobuesi ynë amerikan bëri deklarimin në Thesarin e SHBA. Ne u kemi paguar lobuesve në SHBA vetëm 125 mijë dollarë. Pagesat janë bërë dy herë nga 50 mijë dhe një herë 25 mijë dollarë” – tha Basha në Opinion në Tv Klan që tha se shkrimi në “Mother Jones” është i paguar nga Rama.
“Mother Jones” është një gazetë ekstremiste e majtë e cila ka pasur në qendër të vëmendjes Romny dhe Traump në të kaluarën e cila financohet me miliona dollarë nga Soros. PD i ka deklaruar publikisht të gjitha fondet. Janë paguar vetëm 125 mijë dollarë. Këto janë në faqen e KQZ-së për dy kompani në një periudhë 3 apo 4 mujore.
“Mother Jones” thotë që ka marrë 650 mijë dollarë? Ne kemi paguar vetëm 125 mijë dollarë, nuk kemi bërë asnjë pagesë 500 mijë dollarëshe. PD ka deklaruar ato që ka shpenzuar dhe ka shpenzuar ato që ka deklaruar. Shkrimi është i mbushur me insinuata” – tha Basha.

Kuvendi Kombëtar me 28-29 Prill, bashkim i të gjitha kontributeve
Kryesia e PD votoi unanimisht që Kuvendi Kombëtar i PD-së të mblidhet në 28 dhe 29 prill për të marrë vendime të rëndësishme për modernizimin dhe forcimin e partisë.
Kushdo do të ketë mundësinë të kontribuojë. Ky nuk do të jetë një proces formal, por i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për PD si parti e anëtarëve.
– Zoti Basha, a kemi një datë për Kuvendin Kombëtar?
Po, kemi dhe është vendosur me vendim unanim të Kryesisë të PD-së, e cila është data 28 dhe 29 prill, kur Kuvendi Kombëtar i PD-së do të zhvillohet në Tiranë dhe do të marrë vendimet e rëndësishme për Partinë Demokratike, një parti e anëtarëve, si një parti e shqiptarëve që do t’i prijë një transformimi të thellë politik dhe ekonomik të vendit. Kështu që, ju falënderoj për durimin dhe praninë tuaj gjatë kohës që është zhvilluar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Diskutimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Padyshim që ka mendime kritike. Pa i rrahur mendimet nuk mund të shkohet në vendime,të cilat përfaqësojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve të Kryesisë. Edhe njëherë dëshiroj të falënderoj anëtarët e Kryesisë për frymën e përgjegjësisë me të cilën diskutuan gjatë ditës së sotme. Falënderoj të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike, që ka përmbyllur një proces analize, konsultimi, propozimesh dhe t’i kujtoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike se shqiptarët e shohin këtë jo thjesht si një proces brenda Partisë Demokratike, por si procesi nga i cili do të lindë një shpresë dhe një rrugë e re për çdo shqiptare dhe shqiptar.
– Zoti Basha, a do ta shfrytëzoni periudhën deri në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për tu ulur me kritikët, që të mos shkoni të përçarë?
Kryesia ka miratuar vendimet, të cilat do t’i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal, por i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë të PD si parti e anëtarëve, për këtë transformim të PD-së që do t’i paraprijë transforimit që presin shqiptarët.