Sulmohet me armë një makinë në Bushat, pasagjerët i shpëtojnë plumbave

Një makinë në lëvizje është sulmuar me armë zjarri pasditen e sotme në Bushat të Vaut të Dejës, por pa të lënduar. Disa orë pas ngjarjes, autori është arrestuar: Zefjan Çuni, 40 vjeç, banues në fshatin Bushat.
Rreth orës 14:45, në fshatin Bushat të Vaut të Dejës, ka ndodhur një konflikt mes dy personave, ku më pas njëri nga personat e përfshirë, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të automjetit me të cilin po largohej tjetri, thanë burime policore.
Çuni, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të automjetit që drejtohej nga Z.Ll., 40 vjeç, por pa shkaktuar pasoja, njoftoi Policia.
Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, shtuan të njëjtat burime.