Shtypi francez “kryqëzon” PSG-në: Miliarda investime për… asgjë

PSG-ja është eliminuar në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve për këtë edicion, edhe pse ka bërë “transferime të pazakonta”. Prestigjiozja franceze “L’Équipe” e përmbledh situatën në titullin e vet kryesor: “E gjitha kjo për asgjë”. Më tej kritikon Unai Emery për humbjen e mbrëmshme (1-2), pas humbjes së ndeshjes së parë në “Bernabeu”, duke nënvizuar se trajneri spanjoll dhe futbollistët e tij “treguan kufizimet e tyre në këtë kompeticion”.
Për këtë revistë sportive, ekipi francez “e kuptoi se çfarë e ndan atë nga një kampion europian, ai kurrë nuk e dha përshtypjen se është kërcënim dhe tregoi largësinë e madhe që e ndan nga Real Madridi”. “L’Equipe”, përveç theksimit të humbjes, vërteton se epoka e Unai Emery ka përfunduar. Ajo e “mat” trajnerin aktual të PSG-së me Zidane, të cilin e lavdëronë për shkak se “mori vendime të forta dhe doli fitimtar”.
“Le Parisien” jo vetëm që gjykon performancën e dobët në Ligën e Kampionëve, por e konsideron PSG-në “një Europë e vogël. Një ekip, që ka bërë investimin stratosferik ekonomik, rezulton bast i humbur. Dhe kjo humbje shënon kufijtë realë të PSG-së”. Kjo e përditshme franceze jo vetëm kritikon gjigandët e Ligue 1, por vlerëson lart edhe yllin portugez: “Ronaldo ka provuar të jetë lojtari më i mirë në botë, bosi i vërtetë është ai”.

“Real Madridi shuan ëndrrat e një PSG të vogël”, është titulli i konservatores “Le Figaro”, e cila flet për “natën e makthit” të ekipit francez, i cili “e respektoi shumë kundërshtarin. Një eliminim që kërcënon të jetë fatal për Emery”, shton gazeta në fjalë, që konsideron se ditët e trajnerit spanjoll në krye të PSG-së janë të numëruara tashmë.
Mbreti në “Parc des Princes” është sërish Cristiano Ronaldo. Portugezi, 33 vjeçar, ia ka dalë të jetë protagonist i skenës së shtëpisë të yllit të ri Mbappe, nga shumë i konsideruar si trashëgimtari i tij natyral, ndërkohë që “armiku” Neymar e ndoqi ndeshjen nga televizori i shtëpisë për shkak të dëmtimit.
Pra siç tregon performanca e tij, CR7 nuk ka aspak ndërmend të heq dorë nga goli i cili në fakt i dha fund diskutimit kualifikim. Një goditje e shkëlqyer me kokë e portugezit që ka barazuar rekordin e Ruud van Nistelrooy-t që në 2013-ën kishte ndëshkuar kundërshtarët në 9 ndeshje radhazi në Ligën e Kampioneve si Cristiano, por duke realizuar dy gola më pak: 12 kundrejt 14.