Alarmi i Gjermanisë: Dy në tre të rinj shqiptarë kërkon të braktisë vendin

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schuetz, tha se dy në tre të rinj shqiptarë, duan të braktisin vendin e tyre. Deklarata e ambasadores gjermane u bë në fjalën e mbajtur në një ceremoni të zhvilluar për dhënien e çertifikatave të punësimit për disa të rinj.
“Megjithë dinamikën në rritje të ekonomisë, gjendja në tregun e punës mbetet interesante. Sipas të dhënave, 2 nga 3 të rinj, referuar të dhënave të IOM, luajnë me mendimin të braktisin vendin e tyre për të kërkuar fatin e tyre diku tjetër. Shumë prej tyre e kanë të vështirë ose nuk e konceptojnë dot se cilat do të ishin mundësitë e formimit dhe punësimit këtu në Shqipëri”, tha përfaqësuesja e Gjermanisë në Tiranë.
Ambasadorja thekson kjo është pjesa ku ata duan të përqendrohen. “Çelësi për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian është formimi i mirë dhe me baza praktike të të rinjve”, tha Susanne Scheutz, duke vënë theksin në politikat zhvillimore që duhen hartuar.

Jo vetëm Gjermania, edhe Franca në panik
Emigrimi drejt Francës do të bëhet më i vështirë. Qeveria e Emmanuel Macron ka propozuar një draft të ri që përshpejton procedurat e dëbimit për emigrantët e jashtëligjshëm dhe ashpërson masat e tjera të marra ndaj tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 100,000 kërkesat për azil që Franca shqyrtoi gjatë vitit të kaluar, shumica i përkisnin personave nga Shqipëria e Afganistani.
Qeveria e Emmanuel Macron ka propozuar draftin e ri për emigracionin, pavarësisht kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut. Projektligji i ri parashikon përshpejtim të procedurës së dëbimit për ata, të cilët nuk përmbushin kushtet për të përfituar azil si dhe dyfishon periudhën e burgimit të emigrantëve të jashtëligjshëm në 90 ditë. Edhe pse drafti nuk është bërë ende publik, mediat franceze shkruajnë se veçanërisht Neni 16 do të jetë i ashpër.
Sipas kësaj pike, emigrantët ilegalë, të cilët përdorin dokumenta të rreme identifikimi mund të gjobiten deri në 75,000 euro dhe të burgosen deri në 5 vite. Masat e reja pritet gjithashtu ta bëjnë më të vështirë kalimin e jashtëligjshëm të kufijve, me dënime që mund të shkojnë deri në 1 vit burgim apo gjoba që do të arrijnë deri në 3,750 euro.
Ministri i Brendshëm, Gerard Collomb deklaroi se plani në fjalë është “i balancuar” dhe “në përputhje me procedurat europiane”.
Collomb deklaroi se, Franca duhet të mirëpresë refugjatë, por jo të gjithë emigrantët ekonomikë që kërkojnë të hyjnë në vend.
Franca pa një rritje rekord të numrit të azilkërkuesve gjatë 2017. Shifrat zyrtare tregojnë se mëse 100,000 persona kanë aplikuar për azil në vend, 17% më shumë krahasuar me vitin 2016. Ndërkohë, numri më i madh i këtyre kërkesave i përket personave që vijnë nga Shqipëria, Afganistani, Haiti dhe Sudani.