Të sqarohet reagimi i Armatës Kolumbiane

Deputetët e PD-së reaguan gjatë seancës parlamentare menjëherë pas ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili vijoi në këmbënguljen që operacioni për kapjen e 613 kg kokainë është meritë e policisë shqiptare, ndërsa paralajmëroi operacione të tjera të mëdha. Deputeti Gent Strazimiri tha se duhet sqaruar deklarata e Armatës Kolumbiane, përderisa ministri “tha se është operacion shqiptar”. Ndërsa Enkelejd Alibeaj tha se, ministri Xhafaj ka folur si paraardhësi i tij, Saimir Tahiri. “Më në fund sot na erdhi në Parlament Saimir Tahiri me flokët e bardha të Fatmir Xhafës, Fatmir fol si Fatmir po jo si Saimir”, tha ai. Edmond Spaho, kreu i Grupit parlamentar të PD-së, ia ka drejtuar një pyetje Xhafajt: “Pse gënjen ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë?”. “Në fakt nëse ka dikush që e pengon integrimin europian të vendit janë ato që e kanë bërë krimin e drogën pjesë të ditës këtu, pjesë të qeverisjes, që i kanë ulur kriminelët në vendimmarrjen e qeverisjes. Nuk na vjen fare mirë kur lajmi i doganave nuk është rritje e të ardhurave, po kapja e sasisë së drogës”, tha Jorida Tabaku në reagimin e saj.