Rama largoi dëshmitarët, tre laboratorë kokaine në Shqipëri

Lulzim BASHA

Kjo ditë e hënë na mbledh në këtë Kuvend, pas ngjarjeve dramatike të javës së kaluar, të cilat kanë faktuar katërcipërisht atë që opozita dhe qytetarët kurajozë e dinë dhe e kanë denoncuar tash katër vite: Shqipërinë e sundon një qeveri e lidhur kokë e këmbë me klanet më të rrezikshme të drogës. Në Shqipëri sundon një kryeministër, i cili, drejtpërdrejt dhe përmes familjarëve të tij, i ka graduar organizatat vendase kriminale dhe i ka bërë pjesë të karteleve ndërkombëtare, të cilave tashmë u ka hapur dyert e Shqipërisë për trafikun e heroinës dhe të kokainës. Nisi me marijuanën, me kanabisin, por shumë shpejt, si kudo tjetër ku krimi nuk luftohet, por ulet me karrigen e pushtetit e drogës, u përhap me trafikimin e drogave të forta të marijuanës e kokainës.
Përpjekja e parë, laboratori i Xibrakës dështoi vetëm për shkak të ndërhyrjes së partnerëve të huaj me në krye institucionet gjermane dhe amerikane të luftës kundër narkotikëve. Por autorët e vërtetë nuk u kapën kurrë. Ushtarët e tyre u shoqëruan nga familjarët e kryeministrit dhe policë me grada të larta drejt sigurisë. Ndërsa vetë Edi Rama mbylli gojën, rikuperoi dëmin dhe premtoi vazhdimin e industrisë së përpunimit të kokainës në Shqipëri. Prej kohësh, opozita ka paralajmëruar se nuk ka një, as dy, por të paktën tre laboratorë të përpunimit të kokainës në Shqipëri. Dhe ja ku erdhi prova, jo si rezultat i ndryshimit të premtuar në luftën kundër krimit, por si vetëm rezultat i futjes së këmbëve në një këpucë të narkoshtetit dhe levave të tij

Faktet që Rama dhe Xhafa po fshehin me çdo çmim
Cilat janë faktet që Edi Rama, Fatmir Xhafa dhe të tjerë aksionarë dhe aksionerë të kokainës mundohen t’i fshehin me çdo kusht dhe me çdo çmim? Më 28 shkurt u arrestuan në Maminas dy persona, një shofer dhe një hamall, që po transportonin një konteiner me banane nga Kolumbia në dyshemenë e të cilit u gjetën afro 620 kilogramë kokainë. Policia deklaroi se, vlera e kokainës ishte 180 milionë euro. Ky konteiner i ardhur në emër të kompansië “Arbri Garden” kishte qendruar në Portin e Durrësit që prej datës 19 shkurt, pra plot 9 ditë në pritje të zhdoganimit, bashkë me dy konteinerë të tjerë, po kështu në emër të kësaj kompanie dhe të kompanive të tjera që importonin fruta ekzotike. Një kërkim i thjeshtë, i publikuar nga opozita dhe nga mediat, tregoi se kjo kompani “Arbri Garden”, ka bërë 97 ngarkesa nga Kolumbia, 97! Ky pronar, është shpallur në kërkim. Është larguar me 27 shkurt. 24 orë para se droga e tij të ndalohej. Lapsus, para se DROGA të ndalohej, sepse 620 kg nuk janë të Arbërit, do ta shohim më poshtë se të kujt janë. Është larguar, pasi ka mbyllur edhe NIPT-in dytësor të magazinës ku do të shkonte droga.
Sipas një deklarate në media, nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, partnerët ndërkombëtarë prej kohësh kishin sinjalizuar të shkuarën kriminale të Çekajt në vendet e tyre. Një nga të arrestuarit, shoferi, ai që transportonte konteinerin në magazinë, në faqen e tij në Facebook, shkruante: “Puna që bëj, është transportoj miell për partizanës”.
Kush janë partizanët e vërtetën për të cilët ishte porositur droga?
Kush janë partizanët?

Kush e financoi operacionin e kapjes së konteinerit me kokainë?
Që t’i afrohemi të vërtetës, le t’i kthehemi edhe një herë fakteve. Vlera kolosale dhe rekord e drogës prej 180 milionë eurosh, ngre një pyetje.
Kush e ka financuar një operacion të tillë? A mund të kryhej një operacion i tillë, pa garancitë më të larta politike. Kush ka premtuar mbulim dhe ka garantuar siguri për një operacion të tillë?
Reagimi i parë i Fatmir Xhafës në Twitter ishte përgëzimi i policisë dhe partnerëve të huaj për bashkëpunimin. Pas një heshtje të gjatë foli edhe Edi Rama, i cili na tha diçka krejt të kundërt.
U mburr, duke thënë se operacioni u krye ekskluzivisht nga policia shqiptare pa asnjë lloj sinjalizimi nga partnerët ndërkombëtarë. Përgënjeshtroi Xhafën.

Pas disa orësh, në mbrëmje Xhafaj i ra hasha deklaratës së mëngjesit, duke thënë atë që as vetë se beson: “Që partnerët ndërkombëtarë i falënderova në mëngjes për bashkëpunimin me Policinë Shqiptare, por se kisha fjalën për bashkëpunimin, por për bashkëpunimin që do të vijë, pasi kryem operacionin”.
180 milionë euro, afro 300 mijë euro për kilogramë, që do të thotë duke parë analizën e tregut të kokainës nga Europoli dhe Interpoli se bëhet fjalë për kokainë shumë të pastër. Bëhet fjalë për kokainë që duhet prerë, që duhet përzier me substanca të tjera para se të jetë e gatshme për konsum, duhet prerë me të paktën 6 herë. Pra, droga do të shkonte në një laborator në territorin shqiptar për përpunim të mëtejshëm. E njëjta kompani kishte sjellë përmes Portit të Durrësit 97 herë të tjera ngarkesa nga Kulumbia, 97 herë. Është një fakt botërisht i njohur se për çdo ngarkesë që kapet, 10 kalojnë. Është, po kështu, një fakt botërisht i njohur që në ngarkesat e drogërave të forta me vlerë të lartë komerciale kurrë nuk eksperimentohet pa pasur dy faktorë: prova të mëparshme të suksesit të trafikut dhe një garanci të fortë politike.

A janë kontrolluar 97 ngarkesat e “Arbi Garden” kur vinin nga Kolumbia?
Pra, para se të kalonte një sasi prej 620 kg, kartelet kanë tentuar dhe provuar me sukses ngarkesa të tjera për t’i garantuar për suksesin e operacionit. Sa kanë qenë? 10 kg, 20 kg, 30 kg, 50 kg, 100-200 kg? Burime mediatike përflasin edhe për sasi më të mëdha.
Megjithatë le të shtrojmë disa pyetje, sa herë janë kontrolluar ngarkesat e mëparshme të “Arbi Garden”?
97 ngarkesa, sa herë janë kontrolluar?
97 herë?!
50 herë?!
40 herë?!
10 herë?!
5 herë apo asnjëherë?!
Pse pronari e la për më shumë se një javë në port, aq më tepër, duke ditur ngarkesën ku presupozohet se zona e Portit ka një rrezik të lartë të zbulimit së agjencive?

Pronari i kompanisë sipas vetë deklaratave të qeverisë është sinjalizuar jo prej javësh, as prej muajsh, por prej vitesh tek autoritetet shqiptare si i dyshuar dhe përfitues i trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë.
Pse Rama mohoi në deklaratën e tij bashkëpunimin me partnerët?
Pse Xhafaj në mëngjes thotë se është fryt i bashkëpunimit të Policisë Shqiptare me partnerët dhe 12 orë më pas, pas qëndrimeve të opozitës deklaron se ishte operacion shqiptar?
Si ka mundësi që pronari i kompanisë me 97 ngarkesa nga Kolumbia u largua, jo pasi mbërriti konteineri, por një ditë para se të dilte nga Porti i Durrësit? Pra, priti 8 ditë, dhe një ditë para se konteineri të dilte u arratis në drejtiim të paditur.
Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve është e thjeshtë dhe e kuptueshme, kjo është një ngarkesë droge e kapur dhe një linjë droge, e cila është ngritur dhe funksionon pa ndërprerje që nga ardhja në pushtet e Edi Ramës. Nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, 97 herë me dhjetëra sinjalizime por asnjë veprim për ta kontrolluar asnjëherë të vetme.

Asnjë gjemb në këmbë 97 herë dhe u kap vetëm kur partnerët që e sinjalizuan dhe që kanë konfirmuar sinjalizimin që nga armata kolumbiane tek autoritetet doganore dhe Guardia di Finanza dhe agjenci të tjera bashkëpunimi kundër narkotikëve, euroatlantike, europiane dhe amerikane, vetëm pasi ia futën dy këmbët në këpucë njësoj si në rastin e Xibrakës u detyruan të kapin dhe të deklarojnë sasinë e kokainës, por vetëm, pasi siguruan që çdokush që mund të tregonte gjurmët, çdokush që mund të çonte në lidhjet e drejtpërdrejta me kupolën qeveritare, të ishte jashtë dhe larg duarve të organeve të drejtësisë.
Është e njëjta skemë që kupola qeveritare me Edi Ramën në krye; ta thjeshtojmë pak Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë zbatuar të njëjtën skemë që zbatoi Edi Rama dhe Saimir Tahiri në rastin e Xibrakës. E njëjta skemë, kapet shoferi, kapet hamalli. Njësoj si në rastin e Xibrakës operatorët kryesorë ia mbathin, ata që mund të tregojnë bosët e vërtetë ia mbathin. Mbetemi me një shofer, i cili na thotë se malli është për partizanët.
Për partizanët nuk e dimë nëse e ka fjalën për pasardhësit, trashëgimtarët e komunistëve, apo e ka fjalën për ndonjë ekip futbolli me vëllain e kryeministrit, drejtor. Jo, nuk e dimë. Dimë vetëm që kaq alarmant u konsiderua ky status, sa që në të gjitha portalet proqeveritare, u hoq si me magji. Natyrisht, ky s’përbën fakt, është një rrethanë anësore, por për t’u injoruar. Kontrollojeni, nuk ka asnjë portal qeveritar të mos ta ketë fshirë statusin e këtij shoferi se malli, apo mielli “ishte për partizanët”.

Shqipëria, baza e furnizimit të Europës me drogë
Faktet tregojnë katërcipërisht atë që kemi thënë ne, atë që kanë thënë partnerët tanë, raportet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të BE-së, se Shqipëria është kthyer në bazën e furnizimit me drogë të Europës.
97 ngarkesa ka marrë ky nga Kolumbia, droga vinte nga Kolumbia, kokaina vinte nga Kolumbia, heroina vjen nga Azia dhe Shqipëria, shërben si bazë për përpunimin, paketimin dhe dërgimin drejt tregut europian, me destinacion kryesor, tregjet më të mëdha, Gjermaninë dhe vendet e tjera.
Këtë ka patur parasysh edhe DASH edhe EUROPOL-i kur kanë thënë se, Shqipëria në këto vite të qeverisjes së Edi Ramës është kthyer në një bazë të krimit të organizuar. Këto nuk janë fjalë të opozitës, këto janë konstatimet zyrtare të raporteve të EUROPOL-it dhe DASH.
Pra, ia kanë dalë me sukses ta kthejnë Shqipërinë në një bazë dhe strehë të krimit të organizuar për të gjithë Europën. Nga marijuana tek kokaina, tek heroina. 180 milionë euro, vetëm një ngarkesë.

Është me vend të kujtojmë sot, meqënëse marrëveshja me Gjermaninë që po diskutojmë sot dhe pa dyshim që do ta mbështesim dhe do ta votojmë, flet për bashkëpunim ekonomik dhe trajnimit profesional, se vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike. Për arsyen e thjeshtë se nuk prodhon dhe nuk eksporton e as importon asgjë më shumë se sa drogë. 180 milionë një ngarkesë. E fut në rrënjë katrore edhe 120 milionëshin e defiçitit të mbledhjes së të ardhurave që bëri publike Ministria e Financës.
Çfarë mund të bësh me 180 milionë euro. Si pastrohen 180 milionë euro? Dhe qindra e qindra milionë të tjera? Duke kapur ekonominë, duke shkatërruar konkurencën.
Kush mund të konkurojë me paratë e drogës? Fermeri i ndershëm? Sipërmarrësi i vogë? Fasonët? Mineralët? Zhvillimi turistik? Energjia? Industria ushqimore? Cili sipërmarrës i ndershëm, mund të konkurojë me industrinë e drogës?
Prandaj vendi është në krizë ekonomike, sepse droga po kap çdo sektor të ekonomisë, duke filluar me ndërtimin, e në veçanti ndërtimin në Tiranë, duke e kthyer Bashkinë e Tiranës në një lavatriçe të pastrimit të parave të drogës, me një shumëfishim të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit, që nuk justifikohet nga kredia bankare. Shifra të bëra publike, që i referohen INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë dhe që nuk i hedh dot poshtë, bashkëaksioneri i bandës qeveritare, me gënjeshtra dhe mashtrime.

Shembje kartelit politiko-kriminal
Ekonomia është në kolaps. Dje shifrat e fundit tregojnë se, numri i bizneseve të mbyllura në periudhën janar-shkurt, është rritur me 50% krahasuar me një vit më parë.
Shifrat tregojnë për falimentim masiv të biznesit, tregojnë për mbyllje dhe largim të sipërmarrjes, shifra prej 2786 biznesesh që kanë kaluar në pasiv, tregojnë qartë se çfarë po ndodh me ekonominë.
Natyrisht, një ekonomi në kolaps, një ekonomi e kapur nga droga, në duart e një qeverie dhe një kryeministri, të cilët janë garantorët dhe përfituesit kryesorë politikë dhe pasuror të kokainës së Xibrakës, së Durrësit, nuk mund të prodhojë gjë tjetër, veçse varfëri.
Dhe ja ku del raporti i Bankës Botërore, e keni parë të gjithë dje, i cili thotë qartë se 70% e familjeve më të varfëra në Shqipëri janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Janë përjashtuar nga ndihma ekonomike për një arsye të thjeshtë, sepse kur vjen në pushtet me paratë e krimit dhe drogës, prioritet ke kriminelët dhe jo qytetarët.

Dhe qindra, milionë para të cilat mund të shkonin për ndihmën ekonomike, sot përvetësohen nga Arben Ahmetaj, pronar i tre inceneratorëve, i cili vetëm këtë vit do të marrë 25 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, shifër e barabartë për 47 mijë familje në vit, përvetësohen përmes blerjeve për pajisje zyrash për të cilat Edi Rama do të harxhojë 13 mijë pagesa vjetore, 687 milionë lekë, që nuk do të shkojnë për 13 mijë familje, por do të shkojnë për pajisje zyrash.
Për rikonstruksione dhe ndërtime zyrash edhe 871 milionë të tjera, 17 mijë familje në vit.
Për blerje makinash, 320 milionë lekë të reja, 6 mijë ndihma ekonomike në vit, po t’i mbledhim të gjitha bashkë, 84 mijë pagesa mesatare vjetore të ndihmës ekonomike.
Po mos të vjedhë ministri i Financave me kryeministrin me tre inceneratorët privatë dhe po të mos vjedhin me shpenzime luksi, nuk do të hiqeshin 20 mijë familje, që Banka Botërore thotë, janë në kufijtë e mjerimit.
Por kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë pa shembur kartelin politiko-kriminal dhe pa larguar bosin dhe pronarin e vërtetë të kokainës së Maminasit, të ngarkesës që u kap për të mbuluar ngarkesat e tjera, vetë kryeministri Edi Rama.