Mourinho në Rusi për të komentuar Botërorin

Jose Mourinho do të ketë një profesion të ri në përfundim të sezonit. Trajneri portugez i Manchester United do të jetë komentator i Botërorit të Rusisë në kanalin televiziv “RT”, lajm që u konfirmua nga vetë kjo media. “Trajneri i famshëm portugez, Jose Mourinho i njohur ndryshe si ‘Special One’ dhe që ka drejtuar klubet më të mëdhenj të botës, do t’i bashkohet skuadrës ‘RT’, theksohet në komunikatën e këtij televizioni në faqen zyrtare të internetit, Mourinho do të japë opinionin e tij dhe do të ndajë njohuritë dhe eksperiencën e tij me shikuesit e ‘RT’”. Nga ana tjetër Mourinho tha se ishte shumë i lumtur që do të bëhet pjesë e këtij televizioni dhe se për të është një kënaqësi që të ndajë me të tjerët opinionet për ndeshjet e këtij evenimenti. “RT” nuk ka të drejta të transmetimit të ndeshjeve të Kupës së Botës dhe Jose Mourinho do të jetë pjesëmarrës në programet speciale që do të përgatiten për ngjarjen më të madhe futbollistike. Bashkë me Mourinhon në studiot e “RT” do të jetë edhe ish-portieri i Manchester United e Danimarkës, Peter Schmeichel.