Krimi bën kërdinë, brenda një jave 100 grabitje biznesesh e banesash

Krimi vijon të bëjë ligjin në të gjithë vendin. Brenda një jave janë kryer 100 grabitje biznesesh dhe banesash, ku vendin e parë e zë Tirana. Nga të dhënat e Policisë, më shumë se 45 vjedhje janë bërë vetëm në Tiranë javën e fundit. Banka, dyqane, exchange dhe banesa kanë qenë objektet e grabitjeve. Duke iu referuar të dhënave të Policisë së Tiranës, grabitjet kryhen zakonisht natën, por edhe në mes të ditës. Në të gjithë vendin javën e fundit kanë ndodhur rreth 100 grabitje.
Sipas denoncimeve në Polici, më shumë grabitje kanë ndodhur në Lezhë, Korçë dhe Tiranë. Po sipas burimeve policore, rastet e grabitjeve në Lezhë, në Fushë-Krujë, Rrëshen dhe në një bankë në autostradën Tiranë-Durrës, janë kryer nga i njëjti grup. Janë 4 persona, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar për të kryer këto grabitje. Policia nuk i ka identifikuar ende ata.
Grabitësit kanë në fokus bizneset dhe personat që kanë exchange. Në Fier, grabitja e dyqanit të këmbimit valutor, përfundoi në vrasje, ndërsa në Delvinë u grabitën 2.5 milionë lekë të reja dhe autorët ende nuk janë zbuluar.
Shefat e komisariateve janë urdhëruar të zbardhin sa më shpejt grabitjet e ndodhura ditët e fundit. Pjesa më e madhe e vjedhjeve janë filmuar nga kamerat e sigurisë, por ende disa nga këto grabitje mbeten pa autorë.

Grabiten tre biznese brenda një dite në Korçë
Maskat kanë terrorizuar disa biznesmenë në rajonin e Korçës mëngjesin e të dielës. Tre fabrika janë sulmuar dhe disa dhjetëra milionë lekë janë grabitur nga kasafortat e tyre. Në dy prej bizneseve, autorët kanë arritur të grabisin shuma të konsiderueshme parash. Ndërsa në tjetrin një fabrikë mjalti, pronari ka dalë me çifte dhe i ka trembur, duke i detyruar të largohen. Ai tregon se fillimisht ata i kanë hyrë në shtëpi dhe zyrat e biznesit.
Sipas policisë, në një punishte bojërash në fshatin Dishnicë janë marrë rreth 70 milionë lekë të vjetra. Persona të paidentifikuar dhe të maskuar kanë hyrë në biznes, duke shmangur dhe rojen dhe më pas janë larguar nga aty bashkë me kasafortën që kishte brenda paratë.
Thyerja e biznesit është vënë re rreth orës 08:00 në mëngjes dhe roja ka deklaruar se nuk kishte parë asgjë. Dyshohet se i njëjti grup ka sulmuar po gjatë natës edhe një fabrikë qumështi në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, por ende nuk dihet se cila është shuma e parave të grabitur aty.
Ngjarjet e Korçës vijnë pas disa grabitjeve radhazi të ndodhura në disa qytete të vendit. Më e rënda ishte ajo e një pike të këmbimit valutor në Fier, ku mbeti i plagosur pronari i biznesit Gëzim Hoxha dhe u vra Agur Vrenozi, i cili tentoi të ndalojë tre grabitësit, që u arrestuan nga policia në pak minuta.

Grabitje në Kamëz
Grabitja në Fier nuk ishte e vetmja javën e kaluar. Një grabitje ndodhi një ditë më parë në Kamëz. Pre e grabitjes nga maskat ka rënë një supermarket në qendër Kamzës. Supermarketi u grabit nga katër persona. Të qetë, autorët vjedhin paratë në arkën e kursimeve edhe pse alarmi ishte aktivizuar në momentin e hyrjes së tyre në godinë. Të gjithë grabitësit kishin leva hekuri në duar, ndërsa jashtë supermarketit i priste një autmojet tip “Mercedes-Benz” Ende policia e kryeqytetit nuk ka rënë në gjurmët e këtij grupi hajdutësh, të cilët dyshohen se kanë tentuar më datë 2 mars të grabisin edhe një bankë të nivelit të dytë në autostradën Tiranë-Durrës.
Java e fundit ka shënuar edhe shumë grabitje të tjera në qytete të ndryshme të vendit si Korçë, Lezhë, Rrëshen, Delvinë dhe Shkodër.