Kokaina nuk e shkund Republikën

Nga Marlin Muça

Në monologun e njohur përbri fushave me opium, Mao Ce Dun parashikoi, sipas penës së një autori të njohur shqiptar, se opiumi i tokës socialiste do ta shthurrte aq shumë rininë perëndimore, sa ajo do të dorëzohej pa kushte përballë modelit socialist të jetesës së lulëzuar në bllokun e Lindjes.
Droga vërtet e shthurr një popull, prish fondamentin socio-kulturor të tij, por kjo nuk ndodh vetëm në qoshet e errëta të lagjeve të pista, ku adoleshentët kalojnë jetën larg syve të botës.
Ajo çka mpin nervin e reagimit shoqëror është pamundësia e absorbimit të faktit se gjithë këta vektorë droge gjarpërojnë nën hundën e strukturave shtetërore.
Kauza e drogës u ngrit nga opozita në një kohë, kur opinioni publik vazhdonte të nanuritej nga fjalimet propagandeske të kryeministrit për drogën, që nuk mbillej më në asnjë pëllëmbë të territorit shqiptar.
Ngjarjet e Lazaratit nuk i zgjuan, por i vunë mediat në gjumë, a thua se gjithë ai hashash i kapur atje shkoi nëpër redaksitë e gazetave, televizioneve dhe mediave online.
Qeveria kolovitej në lisharësen e melodisë “nga fitorja në fitorje”, ndërsa opozita i binte daulleve të alarmit për hashashizimin e Lumit të Vlorës e kudo gjetkë.
Shumëçka ndryshoi pas zgjedhjeve qendrore të 2017-ës, kur u provuan efektet e kanabisit nga të gjithë.
Njëri duke e thithur e tjetrin, duke parë farfurimën e kartmonedhave 50-she ndër duar; pothuaj të gjithë kuptuan se paratë e nxjerra prej tregtimit të ndërgjegjes, nuk rridhnin më nga piramidat apo trafiku i armëve, por prej diçkaje më natyrore.
Diçka që ata e kishin zgjedhur ta harronin menjëherë pas operacionit të bujshëm të Policisë së Shtetit në Lazarat. Por tanimë kanabisi u bë një e vërtetë e gjithëpranuar.
Raportet e Guardia di Finanzia-s bënin xhiron e tyre mediatike dhe opozita e bifraksionuar e rigjeti shpejt kalin e betejës disa muaj pas mbarimit të zgjedhjeve. Sot, ekziston edhe një realitet tjetër. Shqiptarëve iu ka ardhur në majë të hundës droga e kudondodhur në kronikat televizive.
Puna ka arritur deri aty sa disa e justifikojnë prej karakterit të shtegtueshëm, që e drejta ka në një fushëbeteje komplekse, si kjo e jona. Konsumi i gjerë publik i debatit mbi drogën i shtyu njerëzit të mendojnë: “Ore, çfarë paska kështu kjo droga, që të gjithë flasin mbarë e prapë nëpër studio televizive?!”.
As 600 e sa kilogram kokainë nuk krijojnë më eksitimin popullor të mushkonjës, që ra nëbaltën e Divjakës para disa viteve.
Mushkonja me kanabis thithi pak vëmendje publike atëherë, ndërsa kokaina masive në Maminas, mpiu tërësisht nervin reagues të opinionit qytetar.
Droga është buka dhe gjella e këtij regjimi dhe njerëzit po fitojnë imunitet ndaj shungullimit që këta lloj stimulantësh shkaktojnë në psikikën e shoqërisë.
Presim të na shpjegojë Mordecai ynë “Pse askush nuk bën asgjë ndaj drogës”. Mbetet të shpresojmë se kjo mpirje vrastare nuk ka nisur ta kaplojë edhe atë.