Dua të fitoj kundër Realit më të mirë

Unai Emery u shfaq para mediave, i shoqëruar nga Dani Alves, në prag të ndeshjes së kthimit të 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, mes PSG dhe Real Madrid. Trajneri spanjoll përsëri apeloi për mbështetjen e tifozëve të tij. I pyetur nëse skema e tij kushtëzohet nga aktivizimi i Kroos dhe Modriç te kundërshtari, ai tha: “Dua të luaj kundër më të mirëve”.
Situata e Mbappé – “Dje vetëm Pastore nuk është trajnuar me grupin. Normalisht, të gjithë lojtarët do të jenë gati për ndeshjen e së nesërmes kundër Real Madridit, përveç Neymar”.
Lass apo Motta? – “Lass Diarra dhe Motta janë të gatshëm të luajnë. Ata kanë një eksperiencë të shkëlqyer, të dy mund të luajnë gjatë lojës”.
A do të luajë Thiago Silva? – “Zgjedhja e mbrojtësit qendror është e vështirë, sepse Marquinhos, Kimpembe dhe Thiago Silva kanë një nivel të madh, nëse të tre janë të gatshëm. Kështu, ne do të vendosim nesër”.
Ndeshja më e rëndësishme në historinë e PSG-së – “Loja e nesërme është një moment shumë i rëndësishëm i këtij sezoni, një moment unik për të gjithë fansat e PSG-së dhe për të gjithë Francën”.
Mentaliteti i PSG-së – “Në futboll duhet të luash me kokën tënde, por gjëja më e rëndësishme është zemra. Sfida jonë është ta tregojmë veten ndaj Real Madridit, se mund ta mbajmë ritmin për 90 minuta”.
Mbështetja nga publiku – “Nesër do të jemi dymbëdhjetë lojtarë, me mbështetjen e publikut. Duhet të jemi të bashkuar, brenda dhe jashtë fushës. Jemi duke kërkuar një bashkim me tifozët e PSG-së”.
Di María – “Di Maria është i gatshëm, sepse e njeh Ligën e Kampionëve. Ai ka përvojë, nesër do të ketë shansin e tij”.
Roli i arbitrit – “Arbitri i së nesërmes është një emër i madh, ai do të arbitrojë atë që sheh me shpirtin dhe ndërgjegjen e vet”.