Delegacioni jugkorean takon për herë të parë Kimin

Një delegacion i Koresë së Jugut, që po viziton Korenë e Veriut, takoi udhëheqësin e këtij vendi, Kim Jong Un, bëri të ditur një zëdhënës i presidencës jugkoreane. Delegacioni 10-anëtarësh, i udhëhequr nga kreu i Zyrës për Siguri Kombëtare i Koresë së Jugut, Chung Eui-yong, ka arritur në Phenjan mëngjesin e sotëm, ndërsa më pas ka pasur drekë pune me Kimin, tha zëdhënësi për gazetarët. Kjo është hera e parë që një delegacion zyrtar jugkorean takon Kimin. Pas vizitës, të dërguarit e Seulit do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë muajin e kaluar se bisedimet me Phenjanin mund të zhvillohen “vetëm nën kushte të duhura”. Duke folur më 3 mars, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të takohen me Veriun, porse Phenjani së pari duhet të denuklearizohet. SHBA dhe Koreja e Veriut, vitin e fundit, kanë shkëmbyer vazhdimisht kërcënime për shkak të programit bërthamor të Phenjanit. Ky i fundit ka kryer disa prova raketore dhe bërthamore.