Skriniar: Inter do të shkojë në Champions

Milan Skriniar është i bindur se ai do të luajë në Champions League me Inter, por ka siguruar se qëndrimi i tij te zikaltrit nuk varet nga kualifikimi i skuadrës në kompeticionin europian. Skriniar ka qenë një blerje e goditur e Inter në merkaton e verës dhe është një nga mbrojtësit më të mirë të këtij sezoni në kampionatin italian. Pavarësisht interesimit të Barcelona-s, sllovaku ka shprehur më shumë se një herë dashurinë e tij për ngjyrat zikaltër.
“Kur kam ardhur këtu, kanë thënë se klubi kishte paguar më shumë se duhej. Tani shikoj se është rritur”, ka thënë lojtari për “Gazzetta dello Sport”.“I kam dëgjuar zërat, kam lexuar për interesimin e Barcelona-s dhe klubeve të tjerë, por jam i përqendruar tek e tashmja. Duhet të mendoj për ndeshjet që na presin dhe stërvitjen. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi”. “Qëndrimi im tek Inter nuk varet nga kualifikimi në Champions League, edhe pse jam i bindur se ne do të kualifikohemi sepse Inter ka lojtarë shumë cilësorë dhe profesionalë. E adhuroj këtë fanellë dhe ndihem shumë mirë në Milano. Kam pranuar ofertën e Inter pa u menduar dy herë”, ka thënë Skriniar.