Shpërthen sportistja Romela Begaj: Ky vend nuk ka shtet!

Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj, e cila u shpall kampione bote në stilin e shkëputjes në kampionatin botëror në SHBA dhe që aludohet se ka rezultuar pozitive edhe në testin B, ka dalë në një konferencë shtypi për të sqaruar situatën. Romela Begaj është shprehur e përlotur dhe është betuar për Kuranin dhe njerëzit e saj më të dashur se është e pastër dhe nuk ka përdorur substanca të ndaluara. “Duart e mija kurrë nuk e kanë prekur atë substancë. Puth këtë Kuran dhe betohem për këtë flamur dhe njerëzit e mi më të shtrenjtë se duart e mija janë të pastra. Çdo medalje e imja është e pastër. Jemi vend i botës së tretë, më vjen keq që kam lindur në një vend që shtet nuk ka. Per një moment isha krenaria, sot në shi jam harruar e nuk jam më, ndaj unë punën time e bëra, medaljet Shqipërisë ia solla, kam harxhuar rininë që nuk blihet me lekë”- tha Begaj. “I them çdokujt që mos merrni pjesë në një krim, nëse do merrni guximin për të më gjykuar pa prova. Kur hidhet poshtë gjaku, djersa e një njeriu, nuk është e drejtë. Nëse doni shkoni deri në fund kësaj, dhe u në do jem këtu. Unë jam kampionia e botës, dhe këtë e kam arritur me pastërti dhe mund. Edhe në mes të natës të çohem do t’i mund. Por me vjen keq që kam lindur në një vend pa shtet. Unë punën time e bëra, medaljet Shqipërisë ia solla, me mund dhe përkushtim. Unë sakrificën time e kam bërë për familjen time”, vijoi ajo mes lotësh.

Sipas jush çfarë ka ndodhur?
Ka ndodhur që unë mora një medalje, më vjen keq që jemi bota e tretë dhe kam mundur botën e parë. Unë jam e pastër. Jam e gatshme si për herën e parë që më është akuzuar kjo substancë e qelbur. Kam 13 vite sport dhe të gjitha medaljet që kam sjellë në Shqipëri i kam të pastra. Nuk i tremben asnjë lloj analize.
Po si ka mundësi që keni rezultuar pozitive?
Jemi botë e tretë, e thashë e pak më parë. Unë jam përballur si me humbje dhe me fitore, por duhet dhe ndihma. Askund nuk hidhet poshtë sportisti siç ndodh në këtë vend.

A keni patur mbështetje nga shteti shqiptar?
Nëse do kishte patur mbështetje, jo për mua si Romelë, por për të gjithë sportistët që kanë derdhur gjak për këtë flamur, do ishte ndryshe. Mua më kanë vrarë për së gjalli.
Çfarë do ndodhë pas kësaj?
Penalizmi mund të merren, kanë të drejtë të plotë. Por jeta ime është në sport.
A do ta ndjekësh në shkallë tjetër?
Unë si Romelë nuk kam mundësi as financiare, dhe as mbështetje. Njëherë shkova vetëm, dhe asnjë nuk erdhi as të më pyesë çfarë ndodhi. Unë e deklaroj kushdo është i gatshëm të vijë të më marrë dhe ta analizojmë, por unë vetë nuk kam mundësi.