Sekretet e shteteve “më të mirë”

Për më shumë se njëqind vite, janë përdorur dy matje për të përcaktuar mbarëvajtjen e një vendi. Njëra është GDP-ja, prodhimi i brendshëm bruto, sasia e parave që një vend fiton. Tjetra është norma e papunësisë. Por kur bëhet fjalë se sa mirë një shtet i shërben qytetarëve të tij, këto matje jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por mund të mos jenë as të dobishme. Në vlerësimet e zhvillimit social për shembull, i cili mat aspektet si akses në edukim, ushqim dhe strehim – vendet më të varfëra shpesh kanë rezultate më të mira se ato të pasura. “Gjerësisht, vendet më të pasura kanë zhvillim social më të lartë, ndaj arritja e rritjes së mirë ekonomike nuk është ide e keqe”, thotë Michael Green, CEO i Indeksit të Zhvillimit Social. “Por kur kemi zbuluar gjithashtu se, zhvillimi social nuk mund të shpjegohet plotësisht nga treguesit ekonomikë. GDP-ja pra nuk përcakton fatin”. Indeksi i Zhvillimit Social është një prej indekseve të shumtë që mbledhin të dhëna rreth shteteve në mbarë botën, kryesisht mbi mënyrën se si këto shtete i shërbejnë popullatës së tyre. Nëse i analizojmë të gjithë, atëherë fillojmë të ëndërrojmë me sy hapur për të jetuar një ditë në Danimarkë apo në Zelandën e Re. Por, në prapaskenë, ky lloj informacioni përdoret për shumë më tepër.

Mund të tregojë një marrëdhënie të befasishme që ndihmon në krijimin e politikës. Mund të përcaktojë se cilët vende kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe financim, madje mund të na ndihmojnë të parashikojmë të ardhmen. Një nga mënyrat më interesante që përdoren këto indekse është për të parë nëse vendet janë përmirësuar apo përkeqësuar – apo thjesht kanë qendruar të pandryshuar. Ka nga ata që argumentojnë se qeveria amerikane ka qenë më pak apo më shumë eficente në periudha të ndryshme dhe se populli amerikan e ka humbur besimin tek qeveria që në vitin 1958. Megjithatë, Treguesit e Qeverisjes në Bankën Botërore tregojnë se niveli i efincencës në qeveri ka mbetur kryesisht i njëjtë që në vitin 1996. Matje marrin në konsideratë kushtet e autostradave, cilësinë e shkollave dhe tregues të tjerë. Shtete të tjera kanë bërë ndryshime të mëdha. Tunizia, për shembull, ka parë një reduktim të madh të fjalës së lirë dhe përgjegjshmërisë së shtetit, tregues që bazohet në matjen e besimit tek zgjedhjet dhe lirinë e shtypit, në periudhën 1996 deri në 2010. Më pas ndodhi Pranvera Arabe. Në vitin 2011, Tunizia kapërceu nga vendi i 9 në vendin 36 dhe që atëherë është rritur, madje në vitin 2016 ishte përkrah Hungarisë.

Nuk mjafton pasuria
Pasuria nuk tregon domosdoshmërisht mbarëvajtje në të gjitha fushat. Shtetet e Bashkuara janë një shembull. Edhe pse indeksi e nxjerr në pesë vendet me GDP për banor më të lartë në botë, renditet më poshtë për sa i përket zhvillimit social, më afër me Estoninë se sa Kanadanë. Po kështu, Holanda kanë një GDP të ngjashme me atë të Arabisë Saudite, bashkë me Kilin, Kazakistanin, Filipinet dhe Angola. Megjithatë, Holanda, Kili dhe Filipinet, kanë rezultate sociale më të mira se të tjerët. Bashkimi Europian pati të njëjtin rezultat në Indeksin e Zhvillimit Social. Rajoni që performonte më mirë ishte Suedia – e cila ka një GDP të ngjashme me Bukureshtin dhe Rumaninë, por arrin rezultatet më të larta të zhvillimit social. Fakti interesant është që në Bashkimin Europian, të dhënat nuk tregonin lidhje ndërmjet zhvillimit social dhe normës së papunësisë. Është e kuptueshme që punësimi përmirëson jetën e njerëzve, por ndërkohë që në Mbretërinë e Bashkuar norma e papunësisë ka kapur normën më të ulët të historisë, zhvillimi social ka pësuar rënie. “Kemi matjet tona tradicionale që përcaktojnë mbarëvajtjen e një vendi dhe një që kemi përdorur në 80 vitet e fundit ka qenë norma e papunësisë”, thotë Green. “Por kjo duket se nuk tregon historinë e vërtetë që fshihet pas cilësisë së jetës së qytetarëve ashtu siç ndodhte 20 vite më parë për shkak të ndryshimit të natyrës së punës”. Një punë pa garanci kontrate mund të jetë përsëri punësim, por nuk është aq e mirë për zhvillimin social. Nga ana tjetër është Kosta Rika. “Kosta Rika është një vend që nuk ndryshon shumë nga pjesa tjetër e Amerikës Latine. Është një vend me të ardhura relativisht modeste”, thotë Juan Botero, drejtues i Projektit të Drejtësisë Botërore. “Megithatë ka prej 40 apo 50 vitesh institucione shumë të forta dhe mund të shihet që të gjithë rezultatet sociale të Kosta Rikës janë shumë më të larta krahasuar me vendet fqinje. Është një shoqëri më paqësore dhe më e zhvilluar”.

Atëherë, nëse pasuria nuk përcakton detyrimisht sa mirë i shërben shteti qytetarëve, çfarë e përcakton? Botero punon me Indeksin e Rregullit të Ligjit, i cili shqyrton themelet e rregullit të ligjit si përgjegjshmëria e qeverisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe proceset e ndershme ligjore. Ai ka gjetur të paktën një lidhje mes të dyjave. “Literatura na tregon se për rezultatet e shëndetit, përcaktuesi kryesor social është pasuria”, thotë Botero. “Kemi zbuluar se rregulli i ligjit është parashikes i mirë i shëndetit, por është i pavarur nga pasuria. Sa më i lartë të jetë rregulli i ligjit në një shtet, aq më shumë gjasa ka të ketë nivel të lartë zhvillimi dhe me shëndetin e mirë rriten të gjithë treguesit e shëndetit publik”. Kjo nuk do të thotë se pasuria nuk ka rëndësi. Ata që renditen të parët janë kryesisht vende të pasura, por jo të gjithë vendet e pasura performojnë mirë, gjë që i ka shtyrë ekspertët të mendojnë se, ndërsa rritja ekonomike jo gjithmonë i shërben qytetarëve, përmirësimi i institucioneve i shërben gjithmonë dhe ndihmon në rritjen ekonomike. “Kur je më i pasur, ke mundësi t’i paguash më mirë policët”, thotë Botero. “Nga ana tjetër, me një sistem të fortë ligjor, krimi ka më pak gjasa të zhvillohet, ndaj edhe vendi fillon të pasurohet”.

Efektet globale
Duke pasur parasysh informacionet që prodhojnë këto lloj indeksesh, nuk është çudi që po përdoren në mënyra nga më të ndryshmet. Bashkimi Europian e përdor Indeksin e Zhvillmit Social për të informuar politikën. Edhe kompanitë janë duke i shfrytëzuar: Disney Corporation, për shembull, i përdor indekset për të vendosur se cilat vende do të përdorë për të prodhuar pruduktet. Mund të përdoren gjithashtu për të përcaktuar se financime duhet të marrë një shtet i caktuar. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në Shtetet e Bashkuara ka investuar 11 miliardë dollarë në asistencë financiare që prej krijimit në vitin 2004. Një nga kriteret kryesorë për të qenë në listën e vendeve ku investon kjo koorporatë është performanca e vendit në fushat si kontrolli i korrupsionit, rregulli i ligjit dhe eficenca e qeverisë. Të dhënat e saj kjo koorporatë i mbledh pikërisht nga Indeksi i Rregullit të Ligjit të Bankës Botërore. Por edhe kjo mund të jetë një qasje e dabatueshme. Koncepti i “qeverisjes së mirë”, që shumë prej indekseve të këtij lloji përpiqen të matin, është zhvilluar fillimisht nga institucionet financiare ndërkombëtare, thotë profesorja e ligjit ndërkombëtar në Alberta, Linda Reif. Vendet që japin donacione, si Shtetet e Bashkuara, i kanë përdorur këto kritere për të caktuar se në cilët vende do të ofronin asistencë. “Një nga kritikat kryesore për këtë praktikë është se në një farë mënyre janë kritere që i janë imponuar botës”, thotë ajo. “Disa dijetarë thonë se, qeverisja e mirë duhet të analizohet që në strukturën koloniale të botës që krijoi rregullin e ligjit”. Kritikët thonë edhe se shumë kritere janë të bazuar në vlerat perëndimore: toleranca për homoseksualët për shembull, apo toleranca fetare. Një tjetër debat ka lidhje me pyetjen se sa të rëndësishëm janë këto tregues për gjysmën e popullsisë së botës: femrat. Kërkimet tregojnë se në të gjithë vendet, përveç atyre më të pasura, nuk ka asnjë lidhje ndërmjet rregullit të ligjit dhe statusit të gruas. Nëse një vend pretendon se ka sistem të fortë ligjor që garanton drejtësinë dhe barazinë, por gjysma e popullsisë përsëri nuk ka akses në punë, edukim dhe kujdes shëndetësor njëlloj si meshkujt, atëherë mund të themi se matja ka të meta të mëdha, ose të paktën janë të paplota. Kjo jep më shumë arsye përse duhet të tregohet kujdes me këto lloj indeksesh, thonë ekspertët.

Të parashikosh të ardhmen
Pavarësisht kritikave, këto indekse janë një pikënisje mjaft e mirë. Një nga arsyet kryesore përse janë interesante është, sepse mund të përcaktojnë trendet aktuale nëpër botë, disa prej të cilëve, nëse nuk monitorohen, mund të kenë pasoja serioze. Tunizia është një shembull i mirë. Nëse monitorohet rënia e fjalës së lirë dhe përgjegjshmëria e qeverisë, atëherë nuk habitesh përse akti individual i një fruta-shitësi që i vë zjarrin vetes, pasi është abuzuar nga zyrtarët lokalë, mund të shkaktojë një efekt zinxhir që i dha rrugë Pranverës Arabe. Edhe Venezuela është shembull tjetër. Pavarësisht se ka qenë më e pasur se shumica e vendeve fqinje, sot është në krizë të rëndë. Ndër të dhënat e tjera, kjo do të ishte parashikuar lehtë nga përkushtimi që ka shfaqur për rregullin e ligjit, thotë Botero. “Venezuela është renditur e fundit për rregullin e ligjit për vite e vite me radhë, edhe atëherë kur qeveria pretendonte në aparancë se e respektonte rregullin e ligjit. Tani duket se ka braktisur çdo përpjekje dhe situata është përkeqësuar. Këto janë parametra që kanë tendencë të parashikojnë të ardhmen”. Atëherë cilët janë ato faktorë që ndihmojnë për ta bërë një shtet më të qëndrueshëm, më të sigurt, të drejtë dhe t’i ofrojë qytetarëve një cilësi të mirë të jetesës? Duket se faktorët kryesorë janë dy. Si për zhvillimin social të përgjithshëm apo për cilësinë e qeverisjes së një vendi, gjërat më të rëndësishme janë niveli i përkushtimit të institucioneve dhe sa kohë ka një shtet që gëzon institucione të forta. “Ne masin rezultatet, jo inputet. Nuk mund të ndryshosh zhvillimin social vetëm, duke ndryshuar ligjin apo duke shpenzuar ca para. Një përshkushtim afatgjatë ndaj zhvillimit social duket se është çelësi i suksesit”, thotë Green. Po kështu, Botero thekson se vendet që kanë zhvilluar institucione të forta qeveritare e kanë bërë këtë gjatë një periudhe të gjatë kohe – siç është rasti i Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar – nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës. Këto janë shtete që kanë më pak rrezik ta humbasin mbrojtjen e këtyre institucioneve. Pra, nëse kërkoni të dini se çfarë e bën një shtet të jashtëzakonshëm, atëherë mos shihni GDP-në dhe as normën e papunësisë, shikoni përkushtimin e qeverisë ndaj qytetarëve.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI