Rihapet La Liga

Barazimi i Barçës në fushën e Las Palmas e lë La Liga-n krejt të nxehtë, sa i takon luftës për titull. Shumë prej njerëzve kishin filluar tashmë të këndonin titullin e ekipit të Valverde, që për muaj të tërë mban vendin e parë dhe nuk mposhtet në Spanjë, por realiteti është shumë i ndryshëm. Pas një ristartimi të dyshimtë në vitin 2018, skuadra e Barçës ka parë avantazhin e saj më të zvogëluar në udhëheqje të La Liga-s, në një pikë të papritur dhe delikate të kampionatit. Ndjekësi më i afërt, Atlétiko Madrid, ndodhet vetëm pesë pikë larg. Dhe kjo ndodh vetëm tri ditë para përplasjes direkte në “Camp Nou”. Viti 2018 i Barçës është vite dritë përpara 2017-tës. Ekipi katalanas ka parë ndryshimin e vet në mënyrë të konsiderueshme. Në fakt, këtë sezon, nuk ka pasur aq pak pikë epërsi nga vendi i dytë që nga java e 15-të, në të cilën Barcelona kryesonte me pesë pikë ndaj Valencias, njësoj si tani ndaj Atletiko Madrid. Nuk është për t’u habitur, pra, që kjo ndeshje kundër skuadrës së Diego

Simeone të trajtohet si një fund autentik për La Liga-n. Një fitore e “Colchonero” në fushën e katalanase do ta vinte kampionatin spanjoll me kokë poshtë, deri në përfundim të tij.
Trajneri i Barcelonës ka folur pas barazimit me Las Palmas, që konsiderohet një hap fals për të tijtë, sepse diferenca me ndjekësin më të afërt, Atletiko Madrid, me të cilin katalanasit do të ndeshen në sfidën e radhës, është ngushtuar në vetëm 5 pikë. Valverde nënvizoi mes të tjerash: “Në pjesën e parë mund ta thellonim avantazhin. Pastaj, kundërshtari e gjeti veten me një penallti, u mbrojt shumë mirë në shtrirjen përfundimtare dhe ishte e pamundur t’i çaje. Penalltia? Ne nuk e dimë se pse e dha arbitri. Në lojë nuk e kuptuam se pse ai vërshëlleu, ishte e pashpjegueshme. Shpresojmë se, duke e parë atë rast në TV, do ta qartësojë pak vendimin e tij. Ishte një penallti e padukshme. Ndeshja e radhës? Ballafaqimi me Atlétiko Madrid vjen shpejt dhe do të jetë i rëndësishëm për të dyja ekipet. Kemi mbetur me një shije të keqe në gojë, pasi mund të kishim shkuar në ndeshjen me ndjekësit tanë më të afërt me një fitore. Ne jemi udhëheqës të La Liga-s dhe presim të vazhdojmë të jemi të parët”. Barcelona nuk ka shkuar përtej barazimit 1-1 në fushën e Las Palmas, në ndeshjen e javës së 26-të dhe kur mbeten 12 ndeshje nga fundi i La Liga, “katalanasit” janë vetëm 5 pesë larg nga Atletico e Madrid, që fitoi 4-0, 24 orë më parë kundër Leganes. Në gjashtë javët e fundit, diferenca ka zbritur nga 11 në 5 pikë dhe duke marrë në konsideratë se ka për t’u luajtur edhe ndeshja direkte, të besuarit e Diego Simeone mund të besojnë te titulli kampion që në fillim të janarit dukej si “utopi”.

Lionel Messi shënoi golin e avantazh për Barcelonën, në mesin e pjesës së parë, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Ky ishte goli numër 23 i argjentinasit në këtë ecidion të La Liga, ku është golashënuesi më i mirë. Gjithashtu ishte goli i tij numër 599 në ndeshje zyrtare si profesionist. Por në minutën e tretë të pjesës së dytë, Las Palmas barazoi me 11-metërshin e shndërruar në gol nga Jonathan Calleri.
Kjo ishte penalltia e parë e dhënë kundër Barcelonës në 79 ndeshjet e fundit, kishte ndodhur për herë të fundit në vitin 2016 kundër Celta. Ishullorët e Las Palmas mbajnë ende gjallë shpresat për mbijetesë pasi janë vetëm një pikë larg nga Levante që mban vendin e fundit të disponueshëm për të luajtur në La Liga edhe sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, Barcelona vazhdon të jetë e vetmja skuadër pa humbje në këtë edicion të kampionatit spanjoll.