Marrëveshja për detin, Paloka: Verifikim grupit të negociatorëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Tritan Shehu, kanë komentuar takimin me Presidentin Meta paraditen e djeshme në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë. Para mediave, ata thanë se opozita është pro një marrëveshje të drejtë me vendin fqinj, por në mënyrë që të mos ketë problematika, Shehu ka shprehur edhe njëherë qëndrimin se do të ishte më mirë që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën e Hagës.
“Patëm një bisedë mjaft konstruktive me Presidentitn. Na informoi për të gjitha hapat që janë ndërmarrë deri më sot me Ministrinë e Jashtme.
Për fat të keq rezultoi ajo që opozita ka ngritur si shqetësim mungesa e transparencës nga Ministria e Jashtme, si dhe fakti që edhe në marrëdhëniet me Presidentin nuk ka pasur një marrëdhënie korrekte.
Pas parashtrimit të Presidentit lidhur me qëndrimin e tij që bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ramë dakord pra mazhoranca dhe opozita që qëndrimi i Presidentit është korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ai ka për të qëndruar fort në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Mosdakordësia mes palëve ishte tek transparenca, por mendoj se ky ishte një element i qartë për këdo.

Ne ngritëm si shqetësim mungesën e transparencës, fakti se pse është kjo mungesë transaprence dhe a ka arsye për të fshehur përderisa nuk janë transparent në një marrëdhënie kaq të rëndësishme.
Pati dhe kërkesa për një verifikim shumë më të mirë të grupit të negociatorëve përderisa ka palë apo grupe që ngrenë rezerva ndaj disa negociatorëve. Nuk ka asnjë arsye se për të hequr çdo hije dyshimi të këtë një grup më korrekt negociatorësh”, tha Paloka.
“Ishte një takim mjaft i mirë me Presidentin, i cili na sqaroi për hapat e tij dhe qëndrimin e tij në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë dhe kolegët e mi shprehëm mbështetjen për zbatimin e Kushtetutës, si linja që duhet ndjekur për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne gjithashtu shprehëm shqetësimet tona. Në këtë proces mungon transparenca, nuk dihet metodika, apo edhe problematika të tjerë.
Shprehëm qëndrimin tonë që zgjidhja racionale e kësaj çështje, arritja e një marrëveshje të drejtë për të gjithë palët dhe stabilitetin, evitimi i çdo keqkuptimi, çdo mungese transparence, apo elementësh të tjerë, është çuarja e kësaj çështje në dakordësi me Greqinë Gjykatën Ndërkombëtare të Dritësisë në Hagë, për të pritur verdiktin e pranueshëm për ne. Presidenti në asnjë bisedë nuk përjashton mundësinë e kalimit të kësaj çështje në Gjykatën e Hagës”, u shpreh deputeti Tritan Shehu.