Ku janë bosët e kokainës, zoti Xhafa?

Operacioni i policisë për sekuestrimin e 613 kg kokainë në Durrës duket se është përshpejtuar për të mos kapur bosët e drogës që ishin në pritje të ngarkesës. Të vetmit të arrestuar janë drejtuesi i kamionit dhe një person tjetër që e shoqëronte atë, ndërsa bosët e drogës janë të lirë. Ekspertë të kriminalistikës u shprehën një ditë më parë se, policia nuk duhej të kishte ndërhyrë para kohe për të bllokuar kokainën, por duhet të priste derisa ata që ishin në pritje të ngarkesës të nisnin shkarkimin e drogës.
Në këtë mënyrë do të arrihej që të kapeshin porositësit e sasisë më të madhe të kokainës të ardhur nga Kolumbia, ashtu siç veprohet në këto raste nga policitë e vendeve të huaja. Duke vepruar në këtë mënyrë, hidhen dyshime se policia ka vepruar e nxituar për të fshehur porositësit e drogës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me zyrtarë të lartë të qeverisë.
Policia arrestoi drejtuesin e kamionit dhe një person tjetër si dhe shpalli në kërkim pronarin e kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj.

Droga e sekuestruar kushtonte 180 milionë euro nëse do të arrihej të hidhej në tregun europian. Pa dashur të marrim në mbrojtje të akuzuarin nga policia, me të drejtës shtrojmë pyetjen, a mundet që një biznesmen shqiptar me një biznes të vogël të kishte mundësi që të blinte në Kolumbi një sasi të madhe droge. Një biznesmen që nuk ka as vila e as prona, por një shtëpi të thjeshtë banimi në Sauk, nuk mundet kurrsesi të ketë 180 milionë euro për të blerë kokainën në Kolumbi.
Pronari i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj deklaroi dje në një intervistë se nuk kishte asnjë lidhje me drogën, pasi ai ishte në pritje të konteinerit me banane sipas kontratës me një firmë serioze. Çekaj u shpreh se, policia nuk ka kapur asnjë person në flagrancë. Sipas tij, operacioni duhej të kryhej në momentin që droga të merrej në dorëzim nga personat që e kishin porositur. Çekaj u shpreh se do të kthehet shumë shpejt nga Gjermania dhe është i gatshëm të dëshmojë në Prokurori.

Pronari i kompanisë: Policia ndërhyri para se droga të merrej në dorëzim
Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden” që kishte porositur konteinerin me banane ku u gjetën 613 kg kokainë ka folur ekskluzivisht për herë të parë në një lidhje telefonike për “News24”.
-Zoti Çekaj, ç’mund të na thoni për 613 kg kokainë të kapur në kamionin e kompanisë tuaj të ngarkuar me banane?
Jam në një situatë të pafavorshme. S’kam lidhje me ngjarjen. Jam biznesmen modest në Shqipëri. Kam një kontratë për 4 kontinente. Kam kontratë me një nga firmat më serioze. Konteinerët s’kanë lidhje me kompaninë “Arbi Garden”. Asnjë person nuk është kapur në flagrancë. Ata kanë shkarkuar konteinerin e parë, punonjësit ishin duke pritur. Nuk ka asgjë të paligjshme. Do shkarkoheshin 20 paleta. Unë jam pro kapjes së drogave, pasi s’merrem me to. Jam kundër tyre dhe as cigare nuk pi. Konteineri rri aty gati 20 minuta, dhe më pas kthehet në port. Ai konteiner nuk është i “Arbi-Garden”. Më pas ai largohet. Pronë e imja janë vetëm bananet.
-A prisni më konteiner?
Në javë porosis 4-5 konteinerë me banane.

-Ju e dini kush e ka ngarkuar drogën?
Nëse do e dija do isha njeriu më i zgjuar.
-Po si është ngarkuar?
Dihet që në Kolumbi ka probleme me drogën. Unë di të them vetëm një gjë, se konteineri nuk është ngarkuar për tek unë. Frutat janë ngarkuar për “Arbi-Garden”, s’kanë lidhje me drogën.
-Ju thatë se jeni nisur drejt Shqipërisë? Kur u larguat?
Më thanë se jam arratisur. Nuk arratisem me gruan time. Kam ikur nga Shqipëria dhe jo nga Rinasi. Jetoj në Shqipëri. Arsyeja ime është familjare dhe do kthehem. Jam larguar për në Gjermani nga dita e shtunë. Dhe jo nga Rinasi. Ju kërkoj publikisht juve dhe kolegëve tuaj, mos përhapi lajme të rreme për një familje të ndershme.

-Kur mendoni të ktheheni, pse pritët kaq gjatë për të reaguar?
Në momentin që kam dëgjuar lajmin, kam prerë biletën. Kam dëgjuar politikanët shqiptarë që thonë; ky është i PD, i këtij, i atij. Jam tropojan, por as armën s’di ta përdor, s’kam lidhje politike. Do zbardhet e vërteta. S’kam pasur kurrë probleme me autoritete gjermane, e as me ato shqiptare. Unë lëviz nga Kosova, sepse bileta është më e lirë. Unë kam udhëtuar në Dyseldorf. Do kthehem nga Kosova për në Shqipëri. Po thuhen shumë të pavërteta. Bravo u qoftë atyre që kapën drogën, jam shumë i lumtur që u kap droga. Por s’duhen të bëhen gjëra pa pasur fakte. S’mbaj dot të pavërteta.
-Jeni i gatshëm të shkoni në Prokurori?
Jam i gatshëm që të shkoj kudo. Kam kapur një avokat në Gjermani për të drejtat civile. Nuk jam as i krahut të majtë e as të djathtë, jemi një familje e thjeshtë. S’kam vila e as saraje. Jetoj me babain në Sauk. Jam një qytetar i thjeshtë që nuk jam dënuar as me një gjobë dhe asgjë në Gjermani.

-Kur do ktheheni?
Do isha shumë shpejt në Tiranë po të mos bëhej gjithë kjo. Do vij shumë shpejt këto ditë, sapo të më thotë avokati në Gjermani. Do arrestohem patjetër. Po bëhet show politik. Policia fare mirë mund ta bënte një gjë, që ta linte të shkarkoheshin paletat dhe të shihte se ku do shkonte droga. Do e shihte nëse ishte për Shqipërinë apo jo. Aty do t’i gjente trafikantët. Por ajo e dinte se s’do i gjente aty trafikantët, dhe për fat të keq, kjo është Shqipëria jonë. E vërteta do të dalë, pasi janë BE dhe gjermanët, avokatët dhe jo vetëm shteti shqiptar. Ju falënderoj shumë. Falënderoj gjithë shqiptarët dhe i kërkoj ndjesë familjes time.