Forumi Ekonomik Botëror: Në Shqipëri varfëri dhe papunësi, nuk ka zhvillim

Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare flasin për një situatë dramatike në familjet shqiptare. Varfëria dhe papunësia dominojnë familjet shqiptare, ndërkohë që vendi nuk ka shënuar asnjë zhvillim në asnjë nga sektorët kyç të ekonomisë, duke dëshmuar degradimin e mëtejshëm.
Raporti më i fundit i Forumit Ekonomik Botëror në lidhje me Indeksin Gjithpërfshirës të Zhvillimit 2018, e rendit Shqipërinë në vendin e 28 nga 74 ekonomitë në zhvillim. Zhvillimi i Shqipërisë konsiderohet nga raporti si i ngadaltë.
Në studim janë shqyrtuar tregues si trendi i Prodhimit të Brendshëm Bruto për Frymë, trendi i punësimit, i varfërisë, trendi i borxhit publik, i të ardhurave neto, tendenca mesatare e të ardhurave, të cilët në pesë vitet e fundit me sa duket nuk janë përmirësuar mjaftueshëm për të bërë të dukshme dhe të pëlqyeshme rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Treguesit ku Shqipëria ka lëvizur më ngadalë në këto pesë vite sipas raportit janë; punësimi, varfëria, të ardhurat mesatare, Prodhimi i Brendshëm Bruto.
Sipas raportit si vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, kanë shfaqur progres të ngadaltë. Raporti nënvizon se progresi i ngadalshëm në standardet e jetesës dhe zgjerimi i pabarazisë kanë kontribuar në polarizimin politik dhe erozionin e kohezionit social në shumë ekonomi të përparuara dhe në zhvillim.

Kjo ka çuar në shfaqjen e një konsensusi mbarëbotëror mbi nevojën për një model më përfshirës dhe të qëndrueshëm të rritjes dhe zhvillimit që nxit jetesën me standarde të larta për të gjithë.
Forumi Ekonomik Botëror ka identifikuar 15 fusha, ku mund të aplikohen politika strukturore në ekonomi dhe të forcohen institucionet që kanë potencialin për të kontribuar në rritjen e lartë të ekonomisë së vendeve dhe pjesëmarrjen e gjerë sociale në procesin e përfitimeve dhe të rritjes.
Raporti citon se, “pavarësisht masës së përparimit të kohëve të fundit, shumë ekonomi kanë potencial të pashfrytëzuar për t’u rritur ekonomikisht. Për aktivizimin e potencialit të pashfrytëzuar do të duhet që ata të:
Kenë prioritet reformat strukturore ekonomike si dhe përpjekje sistematike për të forcuar institucionet. Gjithashtu të nxisin përfshirjen më të gjerë sociale”.
Përsa i përket ekonomive në zhvillim, Forumi thekson se mungesa e performancës së tyre, apo performanca e dobët lidhet me mungesën e vëmendjes ndaj investimeve në fusha kyçe. Pabarazia socioekonomike është kryesisht një endogjen, sipas Forumit, dhe jo një sfidë ekzogjene për politikëbërësit. Duhet të jetë njohur, prioritizuar dhe matur si i tillë në mënyrë që të mbështesë besimin e publikut në kapacitetin e teknologjisë përparimin dhe integrimin ekonomik ndërkombëtar me qëllim rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë.
Sipas Frumit, ka dalë nevoja e një modeli të ri ekonomik të rritjes që i vendos njerëzit dhe standardet e jetesës në qendër të politikës ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare.