Cilat ishin dyshimet italiane në portin e Livornos për ngarkesën e kokainës

Autoritetet doganore shqiptare u njoftuan nga pala italiane për ngarkesën prej 613 kilogramë kokainë. Ky version doli gjatë masës së sigurisë me dyer të mbyllura nga prokurori i dosjes, Edvin Kondli, u shprehën burime të sigurta të “Top Channel”.
Në muajin janar atëherë, kur konteineri me 20 tonë banane ndodhej në portin Livornos në Itali, autoritetet doganiere atje kanë hedhur dyshime për ngarkesën. Në këtë moment është njoftuar vendi pritës, që është Shqipëria, pavarësisht se rezulton se konteineri ka vazhduar udhëtimin në Maltë për të përfunduar më tej në Portin e Durrësit.
Njoftimi, sipas qëndrimit të Prokurorisë i është bërë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganeve në Tiranë, e cila ka ndërmarrë në datën 27 shkurt, atëherë kur është regjistruar edhe procedimi në kontroll në bazë të analizës së riskut, pasi kishte njoftuar edhe Prokurorinë dhe Policinë.
Ky fakt i shtohet edhe njoftimit të Marinës kolumbiane që nxorri një njoftim për kokainën e kapur në Durrës, sipas të cilës kapja e konteinerit ishte pjesë e një operacioni ndërkombëtar të nisur në Kolumbi.
Të dy këto fakte përgënjeshtrojnë deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj që thanë se e gjithë merita për operacionin ishte e Hetimit Doganor dhe e Policisë shqiptare. Madje Rama tha se, “kokaina “i kishte shpëtuar” porteve të Bashkimit Europian dhe ishte kapur në Shqipëri”.

Për dy të arrestuarit e kësaj ngarkese, shoferin Armando Pezaku dhe Donaldo Lushajn, Prokuroria tha se janë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, ndërkohë që dy persona të tjerë, bashkë me Arbër Çekajn janë në kërkim. Por, xhaxhai i Armando Pezakut pretendon pafajësinë e nipit. “Armando ka 5-6 muaj që është punësuar dhe punonte me konteinera. Një e çonte paradite në Vorë, të nesërmen shkonte në Elbasan, nuk ka lidhje fare Armando me këtë”, thotë Gëzim Pezaku.
Nga ana tjetër, edhe avokati i Donaldo Lushajt pretendon se klienti i tij nuk është i implikuar. “Për një të punësuar me 25 mijë lekë në muaj çfarë droge do bëjë’, tha Maks Haxhia. Për këtë rrjet ndërkombëtar droge ndodhen vetëm dy persona në burg për të cilët u dha arrest me burg, ndërkohë që ende nuk dihet se kush janë porositësit e vërtetë.
Sasia rekord e kokainës u kap në dyshemenë e modifikuar të një konteineri, me banane të porositura nga kompania “Arbëri Garden”. Donaldo Lushaj u prangos si menaxher i kompanisë, ndërsa Armando Pezaku si drejtues i kamionit që transportoi drogën.
Tregu shqiptar është ende i vogël për të konsumuar 613 kilogram kokainë. Droga ka qenë e destinuar për në tregun europian, por për ta mbajtur atë në Shqipëri, për ta futur atë në Portin e Durrësit, për ta magazinuar në Maminas dhe për nxjerrjen jashtë Shqipërisë, trafikantët kanë pasur mbrojtjen e një njeriu me lidhje të fuqishme.