Çfarë e lidh Tahirin me 613 kilogramët e kokainës?

Avokati i njohur Maks Haxhia është shfaqur sot në sallën e gjyqit, teksa zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj dy të arrestuarve për ngarkesën me 630 kg kokainë që erdhi nga Kolumbia dhe u sekuestrua në Durrës. Haxhia, duke mbrojtur klientin e tij 25 vjeçar Donald Lushaj ka deklaruar se “klienti im nuk ka lidhje me sasinë e drogës së sekuestruar pasi ai është thjesht punëtor që paguhet 250 mijë leke (të vjetra) në muaj”. Ajo ç’ka të bën përshtypje në këtë rast është se si një menaxher me pagë minimale, e ka mundësinë të sigurojë një avokat të kalibrit të Maks Haxhisë? Duket se çështjet e narkotrafikut “e ndjekin” avokatin e njohur: Pak muaj më parë ai u shfaq duke mbrojtur një tjetër të akuzuar për trafik droge dhe pikërisht ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Më herët ai ka mohuar lidhjen e Tahirit me grupin “Habilaj” dhe ka deklaruar se nuk ka hetime ndaj ish-ministrit në Itali. Po kështu me ndihmën e avokatit të njohur, Tahirit iu lirua pasaporta që ishte bllokuar nga gjykata.