34 mijë mësues pa kontrata pune

Afati i kontratës kolektive mes Sindikatave të Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit ka përfunduar para 9 muajsh, duke lënë pa kontratë pune 34.500 mësues. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevruz Kaptelli, në një intervistë për RTSH-në sqaron se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të dërguara në ministri ende nuk kanë mundur të nënshkruajnë kontratën ashtu siç e parashikon ligji. “Duke parë që kontrata kolektive që ishte në fuqi përfundonte në 31 maj, për të mos ngelur mësuesit asnjë ditë pa punë, ne ju drejtuam me shkresë zyrtare shoqëruar me të gjitha provat e përfaqësueshmërisë së Ministrisë së Arsimit. Por për fat të keq, ne nuk morëm asnjë përgjigje. Kanë kaluar të gjitha afatet ligjore. Grupi i punës nuk kanë marrë një vendim se cilët nga sindikatat janë më të përfaqësuara”, tha Nevruz Kaptelli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla e pyetur se përse është vonuar rinovimi i kontratës kolektive të mësuesve është shprehur se institucioni që ajo drejton ka marrë të gjithë kohën e nevojshëm për të bërë verifikimet e dokumentacioneve konform ligjit. “Proçesi po ndjek të gjithë hapat ligjor. Është një proces që ka kërkuar kohën e vet për të qenë i drejtë dhe konform ligjit. Shumë shpejt do të kemi vendimmarrje”, theksoi ministrja Nikolla. Kontrata kolektive e mbron mësuesin, në ato raste kur shkarkohen nga detyra pa shkaqe të arsyeshme dhe gjithashtu ruan statusin e të punësuarit. Kreu i Sindikates së Arsimit, Nevruz Kaptelli ka theksuar se, nëse Ministria e Arsimit, nuk do të bëjë rinovimin e kësaj kontrate, do të përdorë çdo rrugë të mundshme ligjore, madje edhe protestat për të vënë në vend dinjitetin e mësuesve.