Investimet drejt hoteleve, trefishohen lejet e dhëna me 2017

Biznesi i ndërtimit të hoteleve ka lulëzuar vitin e kaluar, teksa u dhanë më shumë se 53 leje në të gjithë vendin, niveli më i lartë në katër vitet e fundit. Sipërfaqja e hotelerisë për të cilën është dhënë leja është 89 mijë metër katrorë gati 6-fish më e lartë e vitit 2016. Rritja e vizitorëve të huaj për të kaluar pushimet në Shqipëri po nxit gjithnjë e më shumë investimet në këtë sektor. Një vendim i qeverisë për të përjashtuar nga taksat ndërtimin e hoteleve me katër dhe pesë yje do të rrisë më tej investimet në këtë kategori vitet në vijim. Por ekspertët e sektorit lajmërojnë se, nisma e re e qeverisë rrezikon të sjellë një flluskë investimesh në hotelet me pesë yje nëse nuk administrohet. Disa projekte për hotele me pesë yje ishin gati para se qeveria të lehtësonte taksat. Po ashtu, të tjerë janë gati të nisin pikërisht për të përfituar nga incentiva e qeverisë, edhe pse kërkesa për këtë shërbim nuk është e garantuar.

Në pranverë të këtij viti, pritet të hapë themelet Hoteli i ri “Tirana Internacional” me stendat me 5 yje, si zgjatim i hotelit ekzistues në qendër të Tiranës në pronësi 100 për qind të kompanisë “Geci”. Leja zhvillimore për objektin 35-katësh është dhënë për shërbime hotelerie 100%, teksa kompania është duke u përpjekur të azhurnojë investimin me incentivën fiskale të qeverisë, por ligji është i paqartë. Gjithashtu është në përfundim të investimit hoteli “Hilton” i linjës Garden inn” (mbi nivelin mesatar 4 yje) që do të shtojë ofertën e akomodimit në Tiranë me mbi 20%. Projekte të tjera të mëdha janë në nisje. Një tjetër kullë shumëkatëshe, 30% e së cilës është planifikuar të ofrohet si hotel, do të ndërtohet në mes të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë së Tiranës) e cilësuar “Eyes of Tirana”.