Pse është e paligjshme Arta Marku, debat i ndezur në Kuvend, PS nuk tërhiqet!

Pas debateve në Këshillin e Legjislacionit, mazhoranca rrëzoi propozimin e PD për ndryshime kushtetuese për çështjen e kryeprokurorit. Drafti do t’i kalojë seancës plenare ku do të paraqiten raportet e relatorëve, përfshi dhe mendimin e pakicës.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Legjislacionit u diskutua nën për nen drafti i opozitës. PD dhe LSI kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Arta Markut, pasi sipas tyre, kryeprokurorja e përgjithshme u zgjodh pa iu nënshtruar vetingut.
“Duhet t’i ndërpresim mandatin kryeprokurores. Askush nuk e di nëse kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun”, deklaroi Bylykbashi. Sipas tij, zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm bëhet pasi të ketë kaluar vettingun.
Socialisti Ulsi Manja pranoi se ka një vakancë ligjore, por gjithsesi insistoi në qendrimin e Markut në detyre.

“Shqipëria sot ka Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas Kushtetutës, që ushtron detyrën deri në zgjedhjen e prokurorit të ri konform Kushtetutës. Nuk jemi në konflikt me Kushtetutën. Kuvendi është në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit. Dispozita tranzitore e Kushtetutës nuk e ka zgjidhur rastin e vakancës së krijuar në mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, siç e ka zgjidhur për organet e tjera kushtetuese. Këtë e ka bërë ligji numër 97, 2016 për prokurorinë”, u shpreh ai.

Bylykbashi: T’i ndërpresim mandatin Kryeprokurores
Para votimit deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se duhet t’i ndërpritet mandati Kryeprokurores dhe Prokuoria e Përgjithshme të kthehet në shinat e legjislacionit.
Bylykbashi: “Kryeprokuorin e ri ta kalojmë në vetting dhe ta zgjedhim me 3/5 e votave në Kuvend. Askush nuk e di nëse Kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun. Sapo KLP të ngrihet siç duhet, zgjedhim Kryprokuorin e përkohshëm. Ky është një test për mazhorancën nëqoftëse do drejtesi te pavarur”.
Ndërkohë nga ana e saj mazhoranca tha se do të duhej 2 muaj e 54 ditë që ky ndryshim kushtetues të hynte në fuqi.
Hyseni: “Prokurori sipas kërkesës së PD i bie të zgjidhet në fund të korrikut, ndërkohë që opozita flet për ngërç që nuk ekziston. Propozimi është një strategji për të penguar reformën në drejtësi”. Hyseni thotë se prokuori i përkohshëm u zgjodh në procedurë transparente dhe ligjore.