Neymar sheh Botërorin

Neymar ka marrë vendimin për dëmtimin e tij, që përkeqësoi kyçin e këmbës dhe përplasi “metatarsalin” e pestë të këmbës së djathtë. Ky lëndim erdhi të dielën, kundër Marseille, në klasiken e Ligue 1, para sfidës së kthimit të 1/8 finale të Ligës së Kampioneve me Real Madridin. Sipas “Globoesporte” në Brazil, braziliani i PSG-së ka vendosur t’i nënshtrohet një operacioni, kështu që do të jetë jashtë fushave për dy muajt e ardhshëm. Në këtë mënyrë, transferimi rekord botëror në futboll prej 222 milionë eurosh, nuk do të jetë në gjendje të përballet me Real Madridin më 6 mars dhe do të rikthehet në fushat e lojës në muajin maj, një muaj para fillimit të Kupës së Botës. Pra, do të jetë në gjendje ta ndihmojë skuadrën e tij në ndeshjet e fundit të Ligue 1 dhe Champions-it, nëse PSG-ja do të mbijetojë më tej në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet në Europë. Vendi ose mjeku, i cili do të kryejë operacionin, ende nuk është vendosur. Ylli i PSG-së, Neymar, përballet me një dëmtim në këmbë, çka mund ta lërë atë jashtë ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampionëve, kundër Real Madridit. Braziliani pësoi një lëndim të vonuar në sfidën e së dielës në Ligue 1, gjatë përplasjes me Marseille, në të cilën parisienët fituan 3-0. Neymar mbeti i shtrirë dhe qau me lot pas dyluftimit të ashpër me Bouna Sarr të Marseille, me të gjitha shenjat që tregonin drejt një kyçi të këmbës së dëmtuar. Testet paraprake përjashtuan një frakturë ose shtrembërim serioz mbrëmjen e së dielës, por testet e mëvonshme zbuluan se kishte thyer një kockë metatarsale në këmbë.

“Ekzaminimet plotësuese të kryera sot (ultratinguj dhe CT) konfirmuan një shtrembërim të jashtëm të kyçit të djathtë, por edhe ekzistencën e një frakture në metatarsalin e pestë”, konfirmoi një deklaratë e lëshuar nga PSG-ja. Klubi parisien nuk ka dhënë një afat kohor për kthimin e Neymar, por lëndimi zakonisht kërkon minimumi një muaj pushim, çka në thelb konfirmon se ai nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në kthimin kundër Real Madridit për Ligën e Kampionëve. Të besuarit e Unai Emery do të tentojnë të përmbysin disavantazhin 3-1, të fiksuar në sfidën e parë të 1/8 finale të Champions-it. Dhe lajmi se ylli brazilian do të mungojë vjen si një goditje masive, ndërkohë që kthimi me “Los Blancos” është i planifikuar për më 6 mars, në “Parc des Princes”. PSG nuk e ka pasur aspak të vështirë të mposhtë Marseille në klasiken e Francës duke treguar edhe një herë fuqinë dominuese në Ligue 1 pas fitores së thellë 3-0 në “Parc des Princes”. Ishte një ndeshje që pritej të ishte shumë më kompetitive se ç’u pa në fushë, ku PSG dominoi shumicën e momenteve, ndërsa Marseille kishte vetëm disa episode ku shkëlqeu, por pa rrezikuar shumë portën e Areola.