Gjunkshi: Dosja e Meçollarit kompromentuese, s’duhet të jetë pjesë e negociatave me Greqinë

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi, sot deputet i Partisë Demokratike, thotë se Kapiteni i Rangut të Parë, Artur Meçollari është një ushtarak i përgatitur, por që në dosjen e tij në vitin 2012, u zbuluan dokumente që e kompromentonin atë. Gjunkshi thotë se, Meçollarit iu ndërpre marrja e gradës gjeneral pikërisht për disa informacione të ardhura nga shërbimet inteligjente.
“Ka qenë një ushtarak i përgatitur për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë investuar si për shumë ushtarakë të tjerë. Ai gjatë përballjes për t’u graduar në gradën e gjeneralit dhe për të avancuar në detyrë dhe në dosjen e tij personale u gjetën informacione kompromentuese dhe nuk mund të avanconte”, shprehet Gjunkshi.
Ish-gjenerali i Forcave të Armatosura, sot i rreshtuar në politikë thotë se informacionet kompromentuese për Artur Meçollarin i ka përpiluar, komandanti i Forcës Detare, Ylber Dogjani, i cili në atë kohë kishte detyrën e Komandantit të Qendrës Personel-Rekrutimit. Ashtu sikurse Artur Meçollari i akuzuar si spiun, edhe Ylber Dogjani është pjesë e grupit negociatior për kufirin me Greqinë.

“Edhe vetë komandanti i Forcave Detare që është sot, gjeneral-major, Ylber Dogjani, ka informacion shumë të qartë. Ndoshta shumë pyetje që ju kërkoni në raport me këtë individ mund t’ua japë ai vetë, sepse ai vetë ka qenë personi që ka sjellë materialin në zyrë dhe duke qenë në pozicionin e komandantit të qendrës së rekrutimit, më pas në pozicionin e drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”, thekson Gjunkshi.
Artur Meçollari akuzohet si agjent i shërbimeve të huaja. Akuzat janë bërë nga ish-kryeministri Berisha, pak orë pas publikimit të emrave të ekipit që do të negociojnë me Greqinë. Por Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se Muçollari dispononte çertifikatë të lartë sigurie nga NATO.

Dosja e Artur Meçollarit

Kapiten i rangut të parë, Artur Meçollari ka qenë subjekt me dosje në të paktën 10 vjet për shërbimet e inteligjencës ushtarake (SHIU) dhe të SHISH për veprimtari antikushtetuse dhe spiunazhi ndaj Shqipërisë, në favor të shërbimeve inteligjente të vendeve të huaja. Për këtë arsye, ai është vënë nën përgjim fizik dhe elektronik, jo vetëm nga agjencitë e inteligjencës, por edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, të paktën 4 herë të dokumentuara.
Zoti Ilir Meta, President i Republikës në cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që jep plotfuqishmërinë e ekspertëve për kufirin detar, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka të gjitha instrumentat ligjorë e kushtetues të verifikojë nëpërmjet shërbimeve të inteligjencës papërshtatshmërinë e këtij personi në negociatat me Greqinë.
Emri i Kapiten i rangut të parë, Artur Meçollari në një listë me gjeneral major Ylber Dogjani, një ish-shef i Shërbimit Informativ Ushtarak, komandant i Forcës Detare është ana më qesharake në këtë lojë të rrezikshme për çëshjen territoriale, duke qenë se Gjeneral Dogjani, si të gjithë drejtuesit e tjerë të AISM janë në dijeni të dosjes prej 400 faqesh që rëndon mbi Meçollarin dhe ustallarët e tij. Për këtë arsye dhe shumë informacione të tjera e nxjerrin grupin negocitor të qeverisë Rama, si të papërshtatshëm për të negociuar një marrëveshje me Greqinë.