Dosja me 400 faqe e negociatorit, takime me atashe ushtarakë jo të vendeve të NATO-s

Artur Meçollari, eksperti i detit i qeverisë Rama është një ushtarak i lartë që dyshohet se ka cenuar sigurinë kombëtare.
Në vitin 2012, Artur Meçollari i cili në atë kohë mbante postin e zëvendës/komandantit të Flotës Detare me gradën kapiten i parë, është larguar nga detyra për spiunazh dhe për cenim të sigurisë kombëtare. Prej më shumë se një dekadë Artur Meçollari dyshohet ka qenë nën monitorim nga SHISH, SHIU dhe Prokuroria e Përgjithshme për takime me oficerë të shërbimeve të huaja, të paraportuara tek eprorët dhe nuk ka marrë leje të ketë kontakte me atashe. Shërbimet dhe Prokuroria e Përgjithshme dyshohet se ka autorizuar disa herë vënien nën survejim fizik dhe elektronik Artur Meçollari, për të cilën ka një dosje voluminoze të veprimtarisë së tij të dyshuar agjenturore. Janë më shumë se 400 faqe në dosjet e strukturave të specializuara të Ministrisë së Mbrojtjes, ku dyshohet për veprimtarinë e papërshtatshme të Artur Meçollarit me atashe ushtarake jo të vendeve të NATO-s.

Të njëjtat burime bënë me dije, i thanë dje ‘Fax Neës’ se, Meçollarit i është kumtuar vendimi i largimit nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pasi është njohur me faktet, ai ka pranuar vendimin dhe për këtë madje nuk ka bërë as rekurs në Gjykatë. Menjëherë pas ndryshimit të qeverive në vitin 2013, raportohet se Artur Meçollari është rikthyer sërish në radhët e Forcave të Armatosura si oficer detar në rrethana të paqarta. Dhe një nga arsyet se përse Presidenti i Republikës ka refuzuar të akordojë plotfuqishmërinë për negocimin e marrëveshjes së detit me Greqinë lidhet pikërisht me oficerin Artur Meçollari.

Denoncimi i Berishës
Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament njeriun e grupit negociator të qeverisë si një individ të përjashtuar nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë për shkak të infiltrimit nga agjenturat e huaja.
“Dua të denoncoj ekipin përbërës, të cilin Ditzi Bushati ia ka dërguar dje apo sot Presidentit të Republikës.
Dua ta denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në grup negociimi të një ish-spiuni të Forcave të Armatosura, i larguar pas dokumentimeve të pakundërshtueshme të Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe të dhënat e tjera, i larguar me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe që ky agjent, ky spiun, Artur Meçollari, diçka e kësaj natyre, siç ka të drejtë çdo shtetas kur akuzohet me të padrejtë, nuk i është drejtuar Gjykatës, sepse faktet dhe të dhënat kanë qenë katastrofale. Ai ka zgjedhur rrugën e xhepit apo rrugën e influencës apo vendin tjetër që merrte rrogën tjetër, për t’u rikthyer në funksione nevralgjike të shtetit shqiptar. Nëse lexoni deklaratat e zëdhënësit te Edi Ramës, Ditzi Bushatit se ne nuk kemi zhvilluar diskutime teknike, por kemi zhvilluar politiko-diplomatike, dhe prapa këtij nxjerr kokën në Korçë ku u diskutua 13 orë për marrëveshjen e detit, pikërisht njeriu i larguar nga FA për lidhje agjenturore me shërbimet e huaja”, tha Berisha.

Për ish-Kryeministrin kjo përbën një superskandal, sepse jam i sigurt që e gjithë marrëveshja është bazuar në hartat dhe vizatimet e këtij spiuni, që nuk ka interesa kombëtare, por vetëm interesa të vendit që i shërben.
“Për fatin tonë të keq sot, për herë të parë në histori, në krye të Forcave Detare të vendit është një gjeneral që merr vesh nga flota dhe nga forcat detare, aq sa merrni vesh secili prej jush këtu që njihni notin. Të emërosh kryekomandantin, ai është njeri i respektuar s’kam asgjë personalisht se nuk e njoh, por s’mund të emërohet kurrë në krye të Flotës një njeri që s’ka asnjë lidhje me Flotën e me detin. Kjo është të tallesh e të përqeshësh”, tha Berisha.

Ai e konsideroi si një akt të papërgjegjshëm të Ramës për të cilin tha se kemi të bëjmë me një akt të rëndë tradhtie kombëtare.
“Unë jam këtu të bëj publike para shqiptarëve këtë akt të papërgjegjshëm të Edi Ramës.
Të vendosësh në grup njerëz të tjerë, të cilët janë realisht me lidhje shumë të dyshimta, kjo do të thotë të kesh përgatitur ekipin e dorëzimtit të detit, ekipin e dorëzimit të territorit dhe më e keqja të fushave më të mëdha të gazit dhe naftës të Jonit dhe Adriatikut.
Këta edhe tradhtarin e fyejnë me këtë që bëjnë, ja ndyejnë emrin. Duhet të jesh i lehtë, i rrjedhur dhe defiçitar dhe të mos dish asgjë nga grekët, inteligjenca, praktika dhe njohuritë e tyre për detin, që doli Edi Rama t’u bëj presion e pastaj t’i gëzojë me marrëveshjet që bën. E vërteta është që ka shkelur me të dy këmbët interesat kombëtare, integritetin territorial, pasuritë përrallore të nëndetit të këtij kombi e këtij vendi.

Uroj që Presidenti i Republikës, i cili është zotuar publikisht se do të zbatojë në frymë dhe në gërmë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është një normë kushtetuese pavarësisht se ishte kundër qeverisë sime. Kështuqë shpresoj se ky projekt ogurzi në vend se të shndërrohet në një event bashkëpunimi midis dy vendeve, të mos lejojmë të shndërrohet në një mollë sherri të jashtëzakonshme midis dy vendeve dhe kombeve”, tha Berisha.