Deputetët demokratë kërkojnë dorëheqjen e Kumbaros

Me debate të shumta mes deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës është shoqëruar mbledhja e Komisionit të Edukimit ku ishte thirrur në seancë dëgjimore ministrja e Kulturës, Kumbaro. “Muret e kalave janë kthyer në qebaptore dhe pyetja që na shqetëson është pse po ndërtohen kulla”, theksoi deputeti i LSI-së, Rrokaj në seancën dëgjimore me ministren Kumbaro. Kurse deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka kërkuar dorëheqjen e ministres për shkatërrimin që po ndodh dhe po i bëhet Gjirokastrës.
Debatet
Rrokaj: Muret e kalave janë kthyer në qebaptore, pyetja që na shqetëson është pse po ndërtohen kullat. Kullat na çojnë në globalizëm, por na humbin identitetin. Kështjellat janë ato që do na ruajnë identitetin. Punojmë me sindromin e të nisurit çdo gjëje nga zero. Identitet do të thotë të respektosh kujtesën kolektive, është ura, kalaja, gjithçka është ndërtuar gjatë historisë së vendit. Nuk ka nevojë të na thoni që jeni në qiellin e shtatë, por të bashkohemi dhe t’i përballojmë bashkë problemet.
Ulqini: Ministrja na ka dëgjuar ne. Është mirë që t’i përmbahemi thelbit të seancës dëgjimore. Duhet të bëjmë pyetje vetëm me çështjet për shqetësimet që i kemi dërguar ministres. Nuk mund të flasim jashtë rendit të ditës. Ministrja sipas rregullores ka të drejtë të flasë ose të mos flasë. Të falënderoj për çfarë thatë ju zonja ministre. Kjo është Alepoja dhe të thuash që Gjirokastra është si Alepoja nuk mund ta imagjinosh sa respekt kam për ty, është turp.

Vokshi: Çdo mbledhje ti je ankuar për mbledhjen, për pyetjet dhe më vjen keq që e përçmoni në mënyrë të vazhdueshme seriozitetin dhe punën e deputetëve të opozitës… mos bëj zhurmë kot tani. Nëse ka ndonjë përgjegjës për shkatërrimin që u bëhet veprave të artit, monumenteve të kulturës është vetëm kjo, ministrja e Kulturës.
Shehu: Gjirokastra po rrënohet, të dorëhiqet ministra Kumbaro.
Velaj: Si gjirokastrit që je ke gabuar shumë pasi nuk ka asnjë ngjashmëri mes Alepos dhe Gjirokastrës. Alepo ka qenë qendër e qytetërimit osman, Gjirokastra jo.
Mehmetaj: Është e disata herë që deputetë të ndryshëm kërkojnë të na tregojnë se çfarë duhet të themi, kur duhet të flasim etj. Nëse i kemi dërguar me shkrim pyetjet dhe nuk kemi për çfarë të pyesim ministren këtu, atëherë edhe ministrja nuk ka nevojë të vijë këtu, na i kthen përgjigjet me shkrim. Jemi këtu për t’u thelluar. Për aq kohë sa në fjalën tuaj dëgjojmë se para 5 vitesh kështu e ashtu, nuk ka justifikim. Nuk dua të dëgjoj që s’kemi pasur kohë e fonde sepse 5 vite janë shumë dhe mund të bëni çdo projekt.
Kumbaro: Nuk më dalin 15 minuta kohë për të folur pasi shumë nga çështjet i lashë pa prekur pasi më kërkuat të jem konçize.
Malaj: A po vijojnë punimet në Butrint apo jo? Çfarë po ndodh me Gjirokastrën dhe çfarë masash keni marrë?