Ballina Ekonomi Çmenduria, faturat e ujit arrijnë në 36 mijë lekë, reagon Enti: Do...

Çmenduria, faturat e ujit arrijnë në 36 mijë lekë, reagon Enti: Do shkojnë deri 70 mijë lekë në muaj

Qytetarët mund të përballen shumë shpejt me tarifa më të shtrenjta të ujit. Enti Rregullator i Ujit thotë se mund të shkohet në faturë mujore që arrin deri në 5 për qind të shpenzimeve mujore të një familjeje shqiptare. Baza e matjes së shpenzimeve është marrë nga INSAT dhe llogaritet mbi 70 mijë lekë në muaj.
“Ne gjatë punës tonë marrim si kriter bazë, 5 për qind të shpenzimeve për familje dhe akoma kemi goxha hapësirë për këtë punë”, thotë kreu i Entit Rregullator, Ndriçim Shani, raporton TCH.
Nëse merret për bazë që shpenzimet mesatare të një familjeje në Shqipëri janë mbi 70 mijë lekë në muaj, atëherë me metodologjinë e re të vendosjes së tarifave që kërkon Enti Rregullator i Ujit, fatura mujore mund të shkojë mbi 3600 lekë për klientët familjarë.
Kjo do të sillte nga trefishim deri në rritje me një të tretën e faturës për çdo konsumator. Çmimet e furnizimit publik me ujë vendosën nga Enti i Ujit, pas propozimeve që vijnë nga pushteti lokal që administron ujësjellësat.
Faturat e ujit për familjet shqiptare pritet që të rriten në emër të reformimit të sektorit. Enti Rregullator i Ujit e ka paralajmëruar këtë në raportin vjetor të vitit 2017, ku vlerëson se ka ende hapësira për të rritur tarifat që lidhen sidomos me pjesën e shërbimeve.

Në analizën e saj ERRU konfirmon se ende situata mbetet problematike me një humbje në rrjet prej 67 për qind të ujit dhe ku lidhjet e jashtëligjshme zënë një pjesë të konsiderueshme, të paktën 20 për qind të totalit.
“Nga përshkrimi i gjendjes së sektorit më sipër vihet re relativisht një përqindje e lartë e mbledhjes së faturave, ndërkohë që përgjithësisht sektori është në gjendje jo të mirë financiare. Kjo tregon që krahas problemit të lidhjeve të paligjshme, faktor tjetër kryesor për gjendjen e dobët financiare janë edhe tarifat e ulëta të shërbimeve, që kanë mjaft hapësirë për rritjen e tyre. Këtë fakt ERRU e ka një ndër konsideratat kryesore gjatë analizës, vlerësimit dhe miratimit të tarifave që propozojnë shoqëritë UK”, thuhet në raport.
Të gjithë këtë ERRU e argumenton me mundësinë e përballueshmërisë që është kriteri që përdor ky institucion për mundësinë që ka një familje për pagesën e faturës së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve. Niveli që përdoret në këtë rast është 5 për qind e të ardhurave mesatare për familje.

“INSTAT vlerëson se të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme të një familjeje janë rreth 70,000 lekë/muaj, që i korrespondon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë/m3. Tarifat aktuale të shërbimeve UK janë akoma mjaft më të ulëta se kjo vlerë”, thuhet në raportin e ERRU.
Në një prononcim të mëparshëm për mediat, drejtori i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani ka paralajmëruar rritje të vazhdueshme tarifash, për të përballuar nevojën për investime. “Strategjia Kombëtare e Financimit të Sektorit të Ujit me anë të një modeli 3T (Tarifa, Transferta Donatorësh, Taksa-Buxheti nga qeveria qendrore) parashikon realizimin e këtyre investimeve me një mesatare prej rreth 170 milionë eurosh në vit, për një periudhë kohe 22-vjeçare deri në fund të vitit 2040. Skema e financimit parashikon që nga rritja e tarifave të shërbimeve të përballohen mesatarisht çdo vit rreth 40-50% e vlerës totale të kërkesës për investime kapitale. Rritja e pritshme e tarifave për të realizuar objektivat dhe investimet e mësipërme do të konsistojë në pjesën më të madhe për mbulimin e kostove të shërbimeve të KUN (grumbullim, largim dhe trajtim të UN).
Ky përfundim është arritur nga një analizë e hollësishme e përballueshmërisë reale të popullsisë për të paguar faturat që do të rezultojnë nga niveli i rritur i tarifave”, ka pohuar ai.

Rritja e tarifave në Tiranë

Nga 1 janari 2018, tarifat e ujit u rritën me 44% në Tiranë (nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë). Edhe në rastin e kryeqytetit ERRU argumentoi se rritja e tarifave ishte e përballueshme, ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës shfaqi rezerva të shumta për këtë rritje. “Për çdo rast të rishikimit të tarifave të reja për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime, të përcaktohet qartë struktura e kostos mbi bazën e së cilës miratohen tarifat”, theksohet pas shikimit të vendimit të ERU-t. “Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë”, rekomandoi Autoriteti.

Ujësjellës-kanalizime, fryrje stafi dhe mungesë përgjegjshmërie

ERRU vlerëson se sektori i ujësjellës-kanalizimeve vijon të shfaqë problematika që lidhen me mungesën e përgjegjshmërinë, si dhe mbingarkesës me staf. Ndër të tjera raporti rendit disa nga pikat më problematike: ku sistemi i administrimit të sektorit është i decentralizuar me përgjegjësi direkte nga pushteti vendor, është mjaft i fragmentarizuar dhe i pabalancuar financiarisht me borxhe të konsiderueshme, ku vetëm 19 shoqëri mbulojnë shpenzimet e operimit, ka një mungesë përgjegjësie nga pushteti vendor dhe stafi drejtues i shoqërive të UK, ngaqë deficiti në bilancet financiare të shoqërive kompensohen nga qeveria qendrore me subvencione.
Raporti sjell në vëmendje edhe faktin që sot Shqipëria ka një cilësi të ulët shërbimi me furnizim me ujë mesatarisht 12/24 orë në ditë vetëm në pak ujësjellës. Sistemi mbetet ende pa matësa, ndërkohë që në shumë raste pjesa e faturimit cenohet nga faktorë të tjerë siç është korruptimi i faturuesve.

Exit mobile version