Banorët e rrethuar nga bora në Verilindje dhe pa drita

Një nga zonat ku reshjet e borës kanë shkaktuar më shumë probleme në Qarkun e Shkodrës është zona e thellë malore e Dukagjinit. Tre njësitë Shalë, Pult e Shosh që kanë rreth 1500 banorë janë izoluar krejtësisht nga pjesa tjetër e vendit nga dëbora që kalon mbi një metër.
Reshjet e dendura të borës në këto zona kanë arritur në 1 metër. Stacioni i fundit për në Dukagjin, ku duhet të ndalesh për të vazhduar më pas në këmbë është Qafa e Thores, 15 kilometra larg qendrës së Thethit. Bora në rrugë e bën të pamundur udhëtimin me makinë. Në këtë vend takon njerëz të ndryshëm nga Thethi, por hallet i kanë të njëjta, u duhet të ecin me orë në këmbë, duke rrezikuar edhe jetën. Nën borë janë edhe telat e këputur të energjisë.
“Komplet Dukagjini është i bllokuar. Nuk ka as drita dhe as ushqime”, shprehen banorët.
Verilindja është rajoni më i goditur nga reshjet e dëborës dhe i ftohti ekstrem që ka përfshirë ditët e fundit pjesën më të madhe të vendit. Të martën, trashësia e dëborës në Peshkopi dhe disa zona i kalon të 40 centimetra. Në të gjithë qarkun është pezulluar procesi mësimor për shkak të bllokimit të fshatrave. Rrugët nacionale janë të hapura, por të kalueshme vetëm me zinxhirë. Mjaft fshatra në Veri ndodhen pa energji elektrike.
Reshjet e dëborës vijuan përgjatë natës edhe në Qarkun e Lezhës. Në fshatrat e Mirditës, dëbora ka arritur në 50 centimetra.

Edhe në këtë qark mësimi është pezulluar. Të bllokuara janë fshatrat e Njësive Administrative Selite, Kaçinar, Orosh dhe Fan, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me qendrat administrative.
Pa ndërprerje kanë vijuar gjatë natës reshjet e dëborës edhe në Shkodër. Pas një mbledhje urgjente, u vendos të shtyhet procesi mësimor për dy ditë.
Në Elbasan, bora arrin nga 50 cm deri në 1 metër. Në Qafë Thanë borëpastrueset hedhin vazhdimisht kripë me synim që ky aks të mbahet i hapur. Rruga që lidh Librazhdin me Bulqizën është e bllokuar. Mësimi është pezulluar, ndërsa në shumë fshatra mungon energjia elektrike.
I ftohti siberian ka prekur edhe kryeqytetin. Gjatë natës, por edhe në mëngjes ka patur reshje dëbore të shoqëruar me temperatura të ulëta. Më intensive reshjet kanë qenë në Malësinë e Dajtit ku trashësia ka arritur në disa centimetra.
Nën pushtetin e dëborës dhe ngricave vijojnë të jenë disa zona në Juglindje, ku ka bllokim të fshatrave të thella, ndërsa akset kombëtare janë të kalueshme me zinxhirë.
321 shkolla të sistemit parauniversitar në të gjithë vendin nuk do të zhvillojnë mësim deri në një përmirësim të motit. Ministria e Arsimit ka vendosur pezullimin pa afat, kryesisht në shkollat ku problematika si pasojë e reshjeve të borës ka qenë e madhe.