60 vite larg Europës, BERZH për rajonin, Shqipëria dhe Kosova më larg se të tjerët

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar një raport të ri dhe të detajuar për rajonin, nëpërmjet të cilit përpiqet të masë jo vetëm largësinë e Ballkanit Perëndimor me Europën, por edhe vetë diferencat mes vendeve të rajonit.
Ekonomive të rajonit do t`i duhen të paktën 40 vite për të arritur nivelin e vendeve europiane, në rastin më të mirë, thotë BERZH. Në rastin më të keq, do të duhet të kalonin plot 2 shekuj.
Në skenarin më optimist, vendet e rajonit duhet të regjistrojnë norma rritje si ato të përpara krizës, ndërsa në skenarin më të keq, normat e rritjes do të ishin si ato të pas krizës. Në skenarin më të mundshëm thotë BERZH, rajonit do t`i duheshin 60 vite për të barazuar Europën, periudhë kohore kjo e ngjashme me një tjetër parashikim të fundit të Bankës Botërore.
E ndërkohë që i gjithë rajoni do të dojë shumë dekada të arrijë Bashkimin Europian, Shqipëria duket se do ta ketë më të vështirë se të tjerët.
Indeksi i tranzicionit të ekonomive të rajonit drejt një ekonomie të qëndrueshme tregu e rendit Shqipërinë të 4-ën në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, ndërkohë që Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë shumë përpara.

Performancën më të dobët, vendi ynë e regjistron në drejtim të mirëqeverisjes dhe në drejtim të konkurrueshmërisë, ku jemi të parafundit, më mirë vetëm se Kosova, çka do të thotë se, dy shtetet shqiptare janë të fundit në rajon në garën ekonomike, dhe se duhet gjatë dekadave që vijnë duhet të eliminojnë diferencat jo vetëm me Europën, por sidomos me fqinjët.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim flet me shifra edhe për një fakt tjetër interesant, që e veçon Shqipërinë nga vendet e tjera të rajonit. Ekonomia shqiptare rezulton të jetë ajo ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë peshën më të madhe në ekonomi.
Por, Shqipëria mban vendin e parë edhe në drejtim të vlerës së shtuar së këtij sektori mbi totalin. Kjo normë për ekonominë tonë fiksohet në 67.7%.
Ndjekësja më e afërt është ekonomia e Maqedonisë, me 66.6%. E fundit është Serbia me vetëm 53%, gjë që arsyetohet me praninë e lartë të manifakturës dhe korporatave të ndryshme në vend, jo vetëm vendase, por sidomos të huaja.
Pra, ndarja e tortës së ekonomisë, sipas vlerës së shtuar, në favor të ndjeshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nuk është aspak pozitive për një ekonomi, pasi tregon mungesën e sektorit të prodhimit dhe një sektor privat primitiv, pra ku mbizotërojnë bizneset familjare, si dyqane apo bar-kafe. Pjesa dërrmuese e tyre janë krijuar ndër vite, pasi janë parë nga popullsia si mënyra e vetme për të gjeneruar të ardhura.