Vazhdon debati pas raportit të demokratëve për hetimet e FBI-së

Presidenti Donald Trump po këmben fjalë me një ligjvënës të rëndësishëm demokrat lidhur me akuzat se FBI-ja u përfshi në abuzime survejimi në vitin 2016 ndërsa kërkuan miratimin e gjykatës për të monitoruar lidhjet e një këshilltari të zotit Trump me Rusinë. Ligjvënësi Adam Schiff, demokrati më i lartë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin i tha sot kanalit “CNN”, se “FBI veproi siç duhet”. Komentet e tij erdhën disa orë pasi demokratët e pakicës publikuan një raport në përgjigje të raportit të publikuar tre javë më parë nga republikanët ku pretendohet se agjencitë e zbatimit të ligjit vepruan në mënyrë të parregullt në përpjekjet për të përgjuar këshilltarin e zotit Trump, Carter Page. Raporti i demokratëve kundërshton pretendimin e republikanëve se FBI-ja dështoi të shpaloste motivet politike të një ish-oficeri britanik të zbulimit, Christopher Steele, autori i një materiali kërkimor të debatueshëm për lidhjet e Trumpit me Rusinë që ishte përdorur pjesërisht nga FBI-ja në kërkimin e një miratimi nga Gjykata Federale e Përgjimit për Zbulimin për të monitoruar zotin Page. Raporti i republikanëve hartuar nga kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin Devin Nunes, një ligjvënës nga Kalifornia, pretendon se e ashtuquajtura “dosja Steele” ishte pjesë e rëndësishme e kërkesës së paraqitur në gjykatë duke fshehur faktin se ai ishte një material kërkimor i paguar nga demokratët dhe fushata e Hillary Clintonit, kundërshtares së zotit Trump në zgjedhjet e 2016-ës. Raporti i demokratëve thotë se kishte “disa burime” që e mbështesnin përgjimin e zotit Page, jo vetëm materiali në “dosjen Steele” dhe se FBI-ja kishte hetuar tashmë fushatën Trump për lidhje me Rusinë për disa javë përpara se të mësonte për ekzistencën e materialit kërkimor të përpiluar nga ish-agjenti britanik Steele.

Presidenti Donald Trump shkruajti dje në Twitter se: “Përgjigjja e demokratëve ndaj abuzimit të qeverisë me përgjimet është një DËSHTIM i plotë politik dhe juridik. Vetëm sa konfirmon gjithë gjërat e tmerrshme që u bënë. TEPËR E PALIGJSHME!”. Po kështu, Presidenti Trump u lidh në mbrëmje nëpërmjet telefonit me një emision të kanalit “Fox News”, ku përsëriti akuzat ndaj ligjvënësit demokrat Schiff për rrjedhje informacioni dhe fabrikim lajmesh. Ndërsa për vetë raportin e demokratëve, Presidenti Trump u shpreh se “raporti është një asgjë”. Botimi i raportit u bë ndërsa shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, po shtrëngon rregullat për çertifikatat e sigurisë, pasi u mësua se një ish-anëtar i stafit nuk kishte marrë ndonjëherë çertifikatë sigurie. Disa nga këshilltarët më të afërt të Presidentit, përfshirë dhëndrin e tij Jared Kushner, janë duke punuar me çertifikata të përkohshme sigurie. Presidenti është shprehur se do ta mbështesë zotin Kelly nëse ai vendos që zoti Kushner të mos ketë qasje në dokumente tepër sekrete.