Njeriu i drogës së Tahirit arrestohet për vrasjen e biznesmenit

‘’Faxweb.al” publikon detaje të reja për arrestimin e autorëve të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla. Bashkëpunëtori Ardian Serezi, që u arrestua gjatë ditës së sotme, është kapur në shkurt të 2014 me 1 ton drogë në makinë. Serezi drejtonte kamionin me targa AA308FX ku u gjet 1 ton hashash. Burime për ‘’Faxweb.al” shprehen se Ardian Serezi ka qenë efektiv i Policisë së Shtetit. Nuk dihet sesi u la i lirë Serezi edhe pse u kap me një sasi mjaft të lartë hashashi. Opozita ka hedhur akuza në drejtim të tij për lidhje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. PD akuzoi asokohe se Ardian Serezi, që ishte drejtuesi i kamionit me një ton hashash ishte një i njohur i Saimir Tahirit. “I ndaluari nga Policia e Gjirokastrës me një ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga rilindja, me precedent penal, dhe njeri i afërt i Ministrit të Brendshëm. I ndaluari i djeshëm, banor i Kombinatit njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i Ministrit të Brendshëm”, deklaronte asokohe Noka.