Mafia e tokave në bregdet, Drejtoresha e Hipoketës presion regjistruesve në Kavajë të prishin provat

Partia Demokratike ka denoncuar sot presionin që po u bëhet regjistruesve në Kavajë në lidhje me skandalin e fundit të tjetersimit te pronave ne Spille. Sipas PD, drejtoresha e emeruar nga Partia Socialiste po bën përpjekje per të prishur provat e korrupsionit me pronat e grabitura të Spillesë. Por denoncimi nxjerr në pah faktin se Hipoketa eshte drejtuar me pare nga babai dhe djali i tezes se drejtoreshes aktuale.
“Drejtoresha e Hipotekës, Matilda Peza, po u bën presion punonjësve të Hipotekës për të mbuluar aferat korruptive që janë bërë atje gjatë periudhës kur ky institucion drejtohej nga familja e saj, babai Aqif Peza, i dënuar me vendim gjykate për shpërdorim detyre dhe djali i tezes, Asim Arkaxhiu, aktualisht nën hetim për skandalin e Spillesë”, thuhet ne njoftim.
Punonjësit e Hipotekës, që denoncuan pranë Partisë Demokratike presionin e paligjshëm të eprores së tyre Matilda Peza, thanë se babai i saj Aqif Peza tani është avokat i djalit të tezes, Asim Arkaxhiu, ish – Rregjistrues i Kavajës, i përfshirë në skandalin e pronave të Spillesë.
Partia Demokratike dënon presionin e drejtoreshës së Hipotekës së Kavajës për të prishur hetimet ndaj djalit të tezes se saj dhe për të mbuluar vendimet korruptive të babait të saj gjatë drejtimit të Hipotekës së Kavajës.
Ky është një rast flagrant që dëshmon se tepsia e pushtetit jo vetëm nuk është çuar për skrap, por është bërë me e madhe për pushtetarët që vjedhin pasuritë e shqiptarëve.
Partia Demokratike duke inkurajuar hetimin të shpejtë dhe pa zvarritje, i kërkon Prokurorisë të vendosë para përgjegjësisë penale edhe Drejtoreshën e Hipotekës së Kavajës për presionin e paligjshëm ndaj punonjësve të Hipotekës me pasojë pengimin e drejtësisë.

Dëshmia e protokollistes së Hipotekës
Dëshmia e protokollistes së Hipotekës Kavajë, Aida Gjoci, e cila është gjithashtu nën hetim për skandalin e tokave në Spille, ka zbërthyer mekanizmin se si e kanë shkelur detyrën në vite punonjësit e kësaj ZVRPP për të regjistruar pyjet me pisha që në letra rezultojnë tokë arë. 6 punonjës të Hipotekës Kavajë, të emëruar nga ish-kryetari i kësaj bashkie, Elvis Roshi, që nga ish-kryeregjistruesi Seid Cikalleshi, pjesë e dosjes “Spilleja 1”, deri tek pasuesi i tij në të njëjtën detyrë, Asim Arkaxhiu, janë nën arrest si të dyshuar për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Kavajës shprehet në dosje se, punonjësit e Hipotekës që nga regjistruesit deri te juristët, kanë përdorur të njëjtin mekanizëm në vite, duke administruar akte të marrjes së Tokës në pronësi të falsifikuara. Më tej, megjithëse Këshilli i Qarkut ju kthente përgjigje negative, ata kanë fshehur dhe zëvendësuar këto konfirmime, duke i zëvendësuar me rrethana të rreme. E njëjta aferë është përdorur prej tyre edhe për tjetërsimin e poligonit të qitjes në Rreth Greth, ku siç rezulton shkresa e Këshillit të Qarkut Tiranë e vitit 2015, drejtuar Hipotekës Kavajë për të ndryshuar zërin kadastral, është e falsifikuar.
E falsifikuar është edhe shkresa e Hipotekës Kavajë, që megjithëse me të dhëna false që tregojnë korrespodencë me Këshillin e Qarkut, nuk iu është dërguar as dorazi as me postë. Madje, shkresa e korrespodencës për të marrë informacion nga Këshilli i Qarkut është marrë dorazi nga shtetasi Fisnik Qosja, një ish-jurist i Hipotekës, që më pas është punësuar në kompaninë “Idea Tel” të Idlir Karkinit. Kjo shkresë duhet të dorëzohej në fakt në Këshillin e Qarkut, që më tej i është falsifikuar edhe përgjigjja, duke konfirmuar vijimin e regjistrimit si pronë private të bazës ushtarake.

Zyrtarët e Hipotekës janë të dyshuar se jo vetëm kanë bashkëpunuar për të përgatitur këto rrethana të rreme, por duke patur informacion se çfarë po ndodhte me tokat në Spille, kanë arkivuar shkresat origjinale të Këshillit të Qarkut Tiranë, që më pas vuri në lëvizje akuzën për të hetuar.
Por situata nuk ka qenë e panjohur edhe për një institucion tjetër, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Prokuroria thotë se në vitin 2014, KLSH ka audituar veprimet e punonjësve të shtetit për 31 pasuri në Spille me sipërfaqe totale prej 107.364 metra katrore.
Aty konstatohen shkelje në regjistrimin e tyre dhe rekomandohet të merren masa nga drejtuesit e Hipotekës. Por kryeregjistruesi Asim Arkaxhiu thotë se Prokuroria vepron në kundërshtim me urdhrat e KLSH, duke lejuar transaksionet për to, me vendime të paarsyetuara.